Debati për shpenzime luksi – LSI: Janë shpenzuar 40 mln euro në 7 muaj. Financat: Vetëm 2.78% e investimeve
Rreth 40 milionë euro ka shpenzuar qeveria në 7 muaj për shpenzime luksi dhe zyra, sipas deputetit të LSI-së Petrit Vasili. Me një status në rrjetin e tij social Facebook Vasili është shprehur se kjo qeveri” nuk ka para as për rrugët, as për By Passet, as për ngrohjen e shkollave, as për ilaçe por ka miliona euro për zyra, fasada, kolltuqe, tapete, mokete.”
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar Ministria e Ekonomisë dhe Financave ku shpjegon se të dhënat paraprake të 7-mujorit janë 621.86 milionë lekë ose vetëm 2.78% e realizimit faktik të investimeve të brendshme, ndryshe nga shifra e pretenduara nga deputeti i LSI-së. Konkretisht, për muajin e shtatë të vitit 2018 (të dhëna paraprake) është konstatuar një realizim në masën rreth 34.7 miliardë lekë ose rreth 88.3 për qind, në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë në buxhetin fillestar 2018.
Respektivisht, projektet e investimeve me financim të brendshëm kanë shënuar një realizim faktik total në masën rreth 22.3 miliardë lekë ose 95.8 për qind të planit të periudhës, ndërkohë që ato me financim të huaj kanë shënuar një realizim në masën rreth 12.1 miliardë lekë ose rreth 76.9 përqind të planit të periudhës. Shpenzimet për “Pajisje dhe mobilim zyrash” për vitin 2018 janë planifikuar në masën 342.1 milionë lekë ose vetëm 0.6% të totalit vjetor të investimeve të brendshme prej 55.17 miliardë lekë.
Shpenzimet për “Rikonstruksion/ndërtim zyrash”, për vitin 2018 janë planifikuar në masën 647.8 milionë lekë. Plani i shpenzimeve për rikonstruksione, pajisje dhe mobilim për zyrat e administratës për vitin 2018 është 990 milionë lekë . Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave shpenzimet për rikonstruksione, pajisje dhe mobilim për zyrat e administratës si 7-mujor rezulton 621.86 milionë lekë ose vetëm 2.78% e realizimit faktik të investimeve të brendshme.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.