Debati televiziv Macron-Le Pen/ Sondazhi tregoi se 59% e të anketuarve e konsideronin presidentin aktual më bindës!
Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një debati televiziv, akuzoi kundërshtaren e ekstremit të djathtë Marine Le Pen se synon të nxjerrë Francën nga Bashkimi Europian. Le Pen u kundërpërgjigj me një premtim për të rikthyer paratë në xhepat e miliona francezëve të varfër gjatë presidencës së saj pesëvjeçare.
Macron akuzoi gjithashtu Le Pen se nuk iu përgjigj pyetjeve të tij dhe se nuk përmendi fjalën “papunësi” në programin e saj. Me papunësinë në nivelin më të ulët në 13 vjet, Macron tha se ishte krenar për krijimin e vendeve të punës gjatë mandatit të tij dhe shtoi se mënyra më e mirë për të rritur fuqinë blerëse është luftimi i papunësisë.
Debati, i vetmi i tyre në fushatë, u përshkua me thirrje “mos më ndërprisni” dhe akuza se tjetri nuk ishte në detyrën e drejtimit të Francës, një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me veto dhe ekonomia e dytë më e madhe në Europë. Të dy shkëmbyen akuza si “skeptik klimatik” dhe “hipokrit klimatik”.
Për Le Pen, e cila mbetet pas Macron në sondazhet e votuesve, debati ishte një mundësi për të bindur votuesit se ajo ka staturën për të qenë presidente dhe se ata nuk duhet të kenë frikë të shohin të djathtën ekstreme në pushtet.
Një sondazh i kryer pas debatit tregoi se 59% e të anketuarve e konsideronin Macron më bindës, megjithatë nuk ishte e qartë se si kjo do të përkthehej në raundin e dytë të votimeve të dielën. Zgjedhjet i paraqesin votuesve dy vizione të kundërta të Francës: Macron ofron një platformë pro-europiane, liberale, ndërsa manifesti nacionalist i Le Pen bazohet në euroskepticizëm të thellë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.