Dedja rikthehet ne Vetting? ONM rekomandon apelimin e vendimit për Kreun e Kushtetueses
Vendimi për konfirmimin në detyrë të Kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja mund të rishikohet nga Organet e Vetting-ut. Rekomandimi ka ardhur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i njohur si ONM, i cili nuk është i bindur me vendimin për konfirmin e tij në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
ONM i ka rekomanduar Komisionerit Publik, që përfaqëson publikun mes organeve të Vetting-ut, ta apelojë konfirmimin në detyrë të Dedjas në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Rekomandimi është bërë të njëjtën ditë në të cilën KPK konfirmoi në detyrë Kreun e Kushtetueses.
Vendimi për konfirmimin e Dedjas në detyrë kishte përplasur edhe vetë trupën gjykuese të Vettingut, duke qenë se një prej anëtarëve votoi kundër, ndërkohë që dy të tjerët votuan pro. Gjatë seancës dëgjimore me Kreun e Kushtetueses, Komisioni ngriti disa pikëpyetje mbi 3 apartamente në zotërim të Dedjas, si dhe disa hua të marra nga të afërm të tij.
Komisionerët Publikë kanë bërë me dije se janë duke e shqyrtuar kërkesën e ONM-së, ndërkohë që afati i fundit për apelim është 28 korriku.
Aktualisht Dedja është i vetmi anëtar me mandat i Gjykatës Kushtetuese dhe i dyti që kaloi sitën e Vetting-ut pas Vitore Tushës. Të tjerët janë larguar duke u dorëhequr apo të shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.