Deeuroizim me 10%, Sejko: Mos u shqetësoni, objektivat janë afatgjatë
Strategjia e deeuroizimit synon të ulë me rreth 10%, në afatin e gjatë, shkallën e përdorimit të euros në ekonominë shqiptare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, nënvizoi të mërkurën se objektivat e kësaj strategjia janë afatgjatë dhe se agjentët ekonomikë nuk duhet të shqetësohen për pasoja në një të ardhme të afërt. Masat e para të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë synojnë në thelb të rrisin kostot e veprimtarisë në euro për sistemin bankar. Rritja e rezervës së detyrueshme dhe kërkesat për më shumë likuiditete të lira në euro tenton të dekurajojë rritjen e mëtejshme të depozitave dhe të rrisë interesat e kredive në këtë valutë.
Guvernatori Sejko tha se Banka Qendrore nuk përjashton edhe një shtrirje të mëtejshme të masave për reduktimin e euroizimit. Sipas tij, nëse euroizimi do të vazhdojë të rritet, mund të merren në shqyrtim edhe masa shtrënguese për sa i takon përdorimit të euros si valutë në transaksionet e brendshme ekonomike.
Sejko përsëriti se strategjia e deeuroizimit nuk synon të eliminojë përdorimin e euros në ekonomi dhe se individët dhe bizneset do të vazhdojnë të kenë liri zgjedhjeje në përdorimin e monedhës europiane. Ai tha se qëllimi i masave është që euro të mos përdoret aty ku nuk është e nevojshme, duke krijuar ekspozime ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar arriti në përfundimin se euro zë afërsisht 35% të qarkullimit monetar në Shqipëri. Sipas studimit, kostot nga mbajtja e rezervave valutore në valutë dhe humbjet e të ardhurave nga përdorimi i munguar i lekut arrijnë në rreth 6 miliardë lekë në vit.
Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshime në rregullore, me qëllim uljen e euroizimit në sistemin financiar. Bankat duhet të mbajnë një rezervë më të lartë të detyrueshme në valutë, si edhe një sasi më të lartë të aktiveve likuide në raport me detyrimet afatshkurtra. Kjo sjell kosto më të larta dhe pritet të ndikojë në rritje të marzheve të ndërmjetësimit në monedhën europiane.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.