Deficiti tregtar – 4.1% më i lartë për 11-mujorin
Deficiti tregtar u zgjerua më shumë gjatë muajit nëntor. Sipas të dhënave nga Instat, deficiti u rrit me 9.3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Për gjithë 11-mujorin, deficiti në këmbimin e mallrave arriti në 314 miliardë lekë, në rritje me 4.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Rritja e deficitit i detyrohet një gjallërimi të importeve, që gjatë këtij viti po rriten me ritme të konsiderueshme. Për nëntorin, importet u rritën në vlerë me 10% me bazë vjetore.
Për 11-mujorin, Shqipëria ka importuar mallra në vlerën e 565 miliardë lekëve, 8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e importeve po paraqitet e qëndrueshme dhe e shpërndarë në pothuajse të gjithë grupmallrat pa përjashtim, duke shtyrë në rritje deficitin tregtar të vendit.
Deficiti po rritet pavarësisht një ecurie përgjithësisht pozitive edhe të eksporteve. Sipas Institutit të Statistikave, eksportet gjatë nëntorit u rritën me 11% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2016.
Në njëmbëdhjetë muaj, eksportet shqiptare kanë arritur në rreth 251 miliardë lekë, 13% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kontribuuesit kryesorë në rritjen e eksporteve edhe gjatë nëntorit ishin grupet “tekstile dhe këpucë”, si edhe “materiale ndërtimi dhe metale”.
Grupi i tekstileve dhe këpucëve vazhdon të dominojë eksportet, me mbi 43% të vlerës totale të tyre. Grupi tjetër me rëndësi për ecurinë e eksporteve në vitet e fundit “minerale, lëndë djegëse, energji”, edhe këtë vit po shfaq një performancë të dobët.
Eksportet e këtij grupi pësuan rënie gjatë nëntorit. Për 11-mujorin, vlera e eksporteve të këtij grupi është në rënie me 2.3% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.