Deficiti tregtar – Rritja e eksporteve dhe forcimi i lekut frenojnë thellimin
Ecuria pozitive e eksporteve dhe forcimi i lekut për momentin e kanë frenuar deficitin tregtar të vendit në nivele të përafërta me një vit më parë. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë marsit deficiti tregtar u ngushtua me 7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Për tre muajt e parë të vitit, deficiti tregtar ishte rreth 71 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej vetëm 1.2% krahasuar me tremujorin e parë 2017. Stabilizimi i deficitit tregtar i detyrohet kryesisht rritjes së eksporteve, që edhe për marsin regjistruan një rritje vjetore me 15%.
Ndërsa të dhënat progresive dëshmojnë se për tremujorin e parë të vitit, eksportet arritën në 74.5 miliardë lekë, 19% më shumë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Fasonet vazhdojnë të dominojnë eksportet shqiptare, me 42% të totalit dhe shënuan sërish rritje gjatë marsit.
Megjithatë, kontributin më të madh gjatë këtij muaji e dha rritja e eksporteve në grupin “minerale, lëndë djegëse energji”. Eksportet e këtij grupi u rritën me 30% krahasuar me një vit më parë.
Instat nuk bën detajim të mëtejshëm të të dhënave brenda grupit, megjithatë kjo rritje mund të jetë e lidhur me shtimin e eksporteve të energjisë, falë përmirësimit të prurjeve në kaskadën e Drinit. Importet e mallrave u rritën gjatë marsit me 2.2%, ndërsa për gjithë tremujorin e parë rritja ishte 9.6%.
Importet janë në rritje për të gjitha grupmallrat, çka tregon se kërkesa e brendshme është në përmirësim të vazhdueshëm. Megjithatë, për momentin rritja e importeve nuk po jep ndikim të madh te deficiti tregtar i vendit, edhe falë forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor.
Duke qenë se në vlerë importet janë më të mëdha se eksportet, mbiçmimi i lekut e ndikon pozitivisht bilancin tregtar.
Mbajtja nën kontroll e deficitit tregtar do të jetë i rëndësishëm për ruajtjen e trajektores së rritjes ekonomike. Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, rritja e deficitit tregtar ishte një ndër faktorët që e ngadalësuan rritjen ekonomike të vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.