Deklarata e Powell ‘rrëzon’ bursat – Sinjalizon rritjen e interesave me 50 pikë bazë në takimin e majit!
Bursat europiane janë hapur në rënie në sesionin e fundit të javës, duke ndjekur shitjet masive të aksioneve në SHBA dhe Azi, pasi presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell sinjalizoi se një rritje e normës bazë të interesit me gjysmë pikë përqindje mund të ndodhë në takimin e muajit të ardhshëm.
Kjo deklaratë shkaktoi një ndryshim dramatik të tregjeve të aksioneve në SHBA, gjatë sesionit të kaluar, me indekset që u mbyllën në rënie me rreth 1%, ndërkohë që përpara deklaratës së Powell ishin në rritje me mbi 1.2%. Në Europë, ndërkohë, votuesit francezë do t’i drejtohen kutive të votimit të dielën, për të zgjedhur presidentin e ardhshëm. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të diskutohet mes presidentit aktual, Emmanuel Macron, dhe lideres së partisë anti-emigracion, Marine Le Pen.
Në një shënim të publikuar të enjten, Goldman Sachs i përshkroi zgjedhjet si një moment vendimtar për vendimet politike të Francës. Analistët shprehen se nëse Macron rizgjidhet president, ai do të ringjallë axhendën e tij të reformave dhe do të vijojë me planin pro-integrimit të Europës. Por, nëse zgjidhet Le Pen, atëherë pritet një ngërç institucional për shkak të mungesës së shumicës parlamentare në zgjedhjet legjislative të qershorit të ardhshëm, por edhe përçarje me partnerët europianë.
Në tregun e naftës, bençmarkët kryesorë po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, me Brentin e Londrës që po tregtohet në rreth 107 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.