Deklarimi i pagës së plotë – Ahmetaj: Ka nisur fushata për vetëkorrektim nga bizneset
Bizneset duhet që të deklarojnë punonjësit e tyre me pagë të plotë. Sipas ministrit të Ekonomisë dhe të Financave Arben Ahmetaj, në dy muajt e fundit i është bërë thirrje 104 mijë bizneseve që të vetë korrektohen sa i përket deklarimit të pagës së punonjësve të tyre. Pas një periudhe që do të lihet në dispozicion të bizneseve që të bëjnë deklarimet e sakta të punonjëse do të nis faze tjetër e cila do të ketë sanksione sipas ligjit. Bizneset e mëdha kanë rreth 42% të të punësuarve të deklaruar me pagë minimale.
“Bizneset e mëdha, që janë kampionë të ekonomisë kanë 42 për qind të të punësuarve me pagë nën 30 mijë lekë. Në betejën anti-informalitet të gjitha këto dosje janë skanuar, së shpejti me kryeministrin do të bëjmë një takim me biznesin e madh në mënyrë që të kemi një qasje korrektive, jo represive. Korrektive, që biznesi i madh të korrektojë veten dhe të nxjerri në dritë në bilancet e tyre të pastra të drejtën e një të punësuari për të pasur dinjitet në pagesën dhe deklarimin e kontributeve të të drejtave dhe detyrimeve ndaj vetes dhe ndaj shteti.”
Gjatë konferencës” Mjedis mundësues për sipërmarrjen në Shqipëri”, ministrja Qato është shprehu se do të evidentohen të gjitha problematikat që ka biznesi sa i përket situatës së përmbytjes. Lufta ndaj informalitetit dhe lufta ndaj abuzimit të administratës janë dy fenomene kundër të cilave janë ndërmarrë fushata të mirëfillta sipas Qatos.
“Lufta ndaj informalitetit dhe lufta ndaj abuzimit të administratës janë dy fenomene kundër të cilave janë marrë fushata të mirëfillta në këtë mandat, prej nga priten rezultate konkrete me ndikim të drejtpërdrejtë në kulturën e punës dhe raportet e konkurrencës dhe të meritokracisë. Gjithashtu, qeveria po investohet në çështje të tjera problematike, si përmirësimi dhe aftësimi profesional në përputhje me kërkesat e tregut të punës në ndryshim të vazhdueshëm.”
Më tej Ministrja e Sipërmarrjes Sonila Qato dhe Ministri Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj i bënë apel bizneseve të kontribuojnë me ndihma për familjet e përmbytura.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.