Dëmet e uraganit në Luiziana – Biden viziton zonat e prekura dhe premton ndihma federale
Presidenti amerikan Joe Biden vizitoi disa zona në Luiziana të goditura nga uragani dhe u premtoi banorëve se autoritetet po bëjnë gjithçka që munden për të rikthyer energjinë elektrike. Uragani i pestë më i fuqishëm që ka goditur Shtetet e Bashkuara preku brigjet jugore të Luizianës të dielën e 29 gushtit, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë për më shumë se 1 milion konsumatorë, si dhe ujin për 600,000 banorë të tjerë, duke shkaktuar kushte të vështira jetese për ta.
Biden i bëri komentet gjatë vizitës në LaPlace, një komunitet i vogël rreth 35 kilometra në perëndim të New Orleans që u shkatërrua nga përmbytjet, pemët e rëna dhe dëmtimet e tjera të stuhisë.
“Ne po punojmë 24 orë në 7 ditë të javës me kompanitë e energjisë dhe po financojmë më shumë nga buxheti federal. Por, ka ende shumë punë për t’u bërë që energjia të rikthehet sa më parë”, tha ai.
Më herët Biden u takua me Guvernatorin e Luizianës dhe zyrtarë lokalë për të diskutuar rreth masave që po merren për rikthimin e jetës në normalitet pas uraganit, një temë dite që po i siguron presidentit një provë të fortë, menjëherë pas tërheqjes kaotike të forcave amerikane nga Afganistani.
Uragani goditi bregun e Gjirit pranë Luizianës dhe më pas vijoi rrugën në verilindje të Shteteve të Bashkuara, duke arritur kulmin të mërkurën me shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje të përhapura në New York, New Jersey dhe zonat përreth. Të paktën nëntë vdekje u raportuan në Luiziana, me të paktën 46 të tjerë në verilindje.
Me urdhër të Presidentit Biden, Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm të enjten autorizoi një furnizim prej 1.5 milion fuçi naftë nga Rezervat Strategjike të Naftës në Exxon Mobil për të lehtësuar mungesën e karburantit pas uraganit.
Disa rafineri mbetën të shkëputura nga furnizimi i papërpunuar dhe produktet nga jugu përmes anijeve pasi disa rrugë lundruese të lumit Misisipi u mbyllën nga disa anije të fundosura.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.