Dëmet që po sjellin ndryshimet klimatike – Sipas BB kostot e katastrofave natyrore në Shqipëri kanë qenë 24.7 milionë dollarë – SCAN MAGAZINE
Ndryshimet klimatike janë bërë kryefjala në botë e sotme, si dhe një fenomen që lidhet ngushtë me katastrofat e ndryshme natyrore, por edhe me katastrofën e madhe të paralajmëruar; shkatërrimin e tokës. Këtë vit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u fokusua veçanërisht te ndryshimet klimatike, ndërkohë që vëmendjen maksimale e mori një vajzë 16-vjeçare, e cila tashmë është kthyer në një fenomen global, për nga forca e reagimit të brezit të ri ndaj sfidave të mijëvjeçarit të ri, që ajo përfaqëson.
Shqipëria në zonën e alarmit
Ndryshimet klimatike po bëjnë që peshku të jetë i gatuar përpara se të dalë nga deti. Kështu, një studim unik në llojin e tij, i publikuar nga një ekip francez i Qendrës Kombëtare për Kërkime Meteorologjike si dhe Universiteti i Tolouse, tregon se ndryshimet klimatike po vrasin peshqit dhe gjallesat e tjera detare. Të dhënat janë grumbulluar që nga viti 1982 e deri më sot dhe tregojë se Mesdheu është një prej zonave më të prekura. Valët e të nxehtit në sipërfaqe janë një problem që është intensifikuar ndjeshëm kohët e fundit, thotë studimi. Ky fenomen ndodh më së shumti në muajt e verës dhe bën që temperatura sipërfaqësore të rritet mesatarisht me gjysmë gradë celsius. Por, më problematike është vala e të nxehtit nën sipërfaqe, dhe ky fenomen ndodh më së shumti mes tetorit dhe dhjetorit. Kohët e fundit fenomeni në fjalë është intensifikuar, duke u zgjatur edhe në kohë. Shqipëria figuron në listën e rrezikut. Bashkë me Libanin, Izraelin, Italinë dhe Greqinë është një prej vendeve më problematike në këtë drejtim, me temperaturat nën sipërfaqësore në rritje me 1-2 gradë celsius mesatarisht. Kjo bën që shumë gjallesa detare të jenë në rrezik madhor. Më të rrezikuarat janë midhjet. Studimi arrin në përfundimin se, me një ritëm të tillë të emetimit të dioksiditit të karbonit, ndryshimet klimatike do të bëjnë që valët e të nxehtit në Mesdhe në 2100 të jenë 42 herë më të fuqishme se sot.
Përgjegjësia jonë në ndryshimet klimatike
Djegia e gazit natyror në procesin e nxjerrjes së naftës është një ndër shkaktarët kryesorë të ndryshimeve klimatike. Të dhënat e publikuara së fundmi nga Banka Botërore tregojnë përgjegjësinë e shteteve të ndryshme të botës në një prej dëmeve më të mëdha që po i bëhet planetit dhe njerëzimit. Të dhënat klasifikojnë edhe Shqipërinë, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit nuk janë marrë fare në analizë, sepse praktika në fjalë nuk ndiqet në të gjitha vendet e botës. Kjo praktikë është 160 vjeçare dhe veç dëmeve për planetin sjell edhe një shpërdorim mjaft të madh të energjisë, duke qenë se ky gaz do të mund të përdorej shumë mirë për të prodhuar energji për konsum. Të dhënat e Bankës Botërore, të marra nga një satelit hapësinor, tregojnë se në 2018 pati një rritje të ndjeshme të nivelit të gazit, në 145 miliardë metër kub gaz. Në të gjithë globin, rritja gjatë 2019-ës fiksohet në 3%. Po Shqipëria sa metër kub gaz të tillë prodhon në vit? Sipas të dhënave të Bankës Botërore bëhet fjalë për 7 milionë metër kub gaz në vit, që është e barabartë me 0.005% të sasisë që gjenerohet çdo vit në planet, si pasojë e kësaj praktike e cila do të duhej të kishte dalë nga qarkullimi prej dekadash. Pjesa dërrmuese e ekonomive më të mëdha të botës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Rusia, Japonia si dhe thuajse të gjitha vende europiane me përjashtim të Gjermanisë, vijojnë me këtë praktikë, duke qenë edhe ndër vendet kryesore përgjegjëse për ndryshimet klimatike.
Si kanë ndryshuar temperaturat në Shqipëri?
Në tre dekadat e fundit, temperatura mesatare në Europë është ngritur me 1 gradë celsius. Por, jo të gjitha vendet e kontinentit të vjetër i kanë vuajtur njësoj ndryshimet klimatike. Të dhënat më të fundit tregojnë se Shqipëria, e përfaqësuar me Tiranën në raport, është një prej vendeve më pak të prekura, pasi temperatura mesatare, që prej vitit 1990 është rritur me vetëm 0.74 gradë celsius. Madje, siç e tregon qartë harta, Shqipëria, me ngjyrën e verdhë, është një prej vendeve më pak të prekura nga këto ndryshime. Vendet që ilustrohen me ngjyrën e kuqe, janë ato më problematiket. Në qytete të ndryshme të Europës sidomos në Spanjë, temperaturat janë rritur me më shumë se 1.5 gradë celsius. Kështu, në vendin tonë, temperatura mesatare është ngjitur në 15.2 gradë celsius, nga 14.5 gradë celsius që ishte dy dekada më parë. Por, të dhënat flasin edhe për një rritje të ndjeshme të ditëve të nxehta, nga 1.6 më parë, në 8.2 mesatarisht në shekullin e 21-të. Ndryshimet klimatike sjellin motin ekstrem, pra ditë mjaft të nxehta në verë dhe acar në dimër; problematika , jo pak të hasura gjatë viteve të fundit në vendin tonë. Një studim i pak kohëve më parë ndërkohë, tregonte se brenda vitit 2050, Shqipëria nuk do të ketë më një klimë mesdhetare, por kontinentale, me më shumë thatësirë dhe ngrica për rrjedhojë. Ky ndryshim përkthehet në kosto mjaft të mëdha për ekonominë shqiptare, sidomos në bujqësi. Gjatë viteve të fundit, reshjet e shumta por edhe acari kanë shkaktuar dëme mjaft të mëdha në këtë sektor, duke sjellë edhe pasoja të parikuperueshme.
Skenar apokaliptik për Shqipërinë
Ballkani Perëndimor e sidomos Shqipëria do të vuajnë një rritje të paprecedentë të temperaturave, deri në 5 gradë celcius më shumë deri në fund të këtij shekulli, thotë një studim i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal mbi këtë çështje. Studimi në fjalë është unik në llojin e tij pasi për herë të parë një çështje kaq sensitive sa ngrohja globale prek rajonin tonë. Studimi është financuar nga Bashkimi Europian. Raporti thekson se, rajoni po merr trajtën e një klime sub-tropikale, çka do të thotë se, zonat bregdetare dhe jugore, si Shqipëria, do të jenë gjithmonë e më të nxehta e më të thata gjatë stinës së verës, stinë e cila do të zgjatet edhe më shumë me kalimin e viteve. Dukuri të tilla janë vënë re edhe gjatë viteve të fundit. Tabela e tregon qartë se, Shqipëria është një ndër vendet më të prekura nga ndryshimi klimatik në rajon, me temperaturat në rritje të ndjeshme, si në të ardhmen e afërt, deri në 2035, me rreth 1 gradë celcius. Deri në fund të shekullit projeksionet flasin për temperatura deri në 5 gradë celcius më të larta. Por, alarmi nuk qëndron vetëm këtu, por edhe te reshjet që projektohet të rriten deri në 30% në fund të këtij shekulli, dhe me rreth 5% në të ardhmen e afërt. Në këtë drejtim, Shqipëria do të jetë një prej vendeve më të goditura thotë raporti. Një tjetër projeksion ndërkohë tregon se, Shqipëria do të ketë muaj vere me thatësirë të tejzgjatur dhe muaj dimri me reshje mjaft intensive. Në mes të këtij shekulli kjo situatë do të jetë alarmante, dhe në fund të shekullit do të jetë ekstreme. Në rritje të ndjeshme projektohen edhe valët e të nxehtit në Shqipëri e në rajon. Ndryshimet klimatike përkthehen në një barrë të rëndë për ekonominë, pasi sjellin veç problemeve në shëndetin e njerëzve edhe çrregullime të florës dhe faunës, probleme me ujin e pijshëm, ç `rregullimeve të habitateve natyrore dhe parqeve,etj. Për këtë arsye rekomandohet që vendet e rajonit të bëjnë më shumë përpjekje në reduktimin e gazrave serrë dhe zbatimin e marrëveshjes së Parisit.
Kostot e katastrofave në Shqipëri
Shqipërisë, katastrofat natyrore i kanë kushtuar $24.7 milionë që prej vitit 1990, thotë Banka Botërore. Kjo është shifra më e ulët mes vendeve të rajonit, me një diferencë të ndjeshme me fqinjët. Ky është dëmi i drejtpërdrejtë, dhe jo i gjithë impakti në ekonomi. Por ndërkohë që për dëmet është e fundit në rajon, Shqipëria është e para për numrin e fatkeqësive natyrore që kanë goditur vendin. Forca e vogël e goditjes si dhe sipërfaqja e vogël e vendit kanë bërë që kostot mos të jenë aq të larta sa në vendet fqinje. Sa i përket përmbytjeve Shqipëria vlerësohet si vendi më pak i rrezikuar në Ballkan, me dëme në vetëm 6% të PBB sipas Bankës Botërore. Deri në vitin 2080 ky rrezik do të dyfishohet nënvizon institucioni, rrjedhojë kjo e përqendrimit të aseteve në hapësira më të vogla. Por ndërkohë që Shqipëria duket disi më e mbrojtur se fqinjët sa i përket përmbytjeve, jo e njëjta gjë mund të thuhet sa i përket thatësirës, përkundrazi. Shqipëria është një ndër vendet më të rrezikuara gjatë tre dekadave të ardhshme, kur pritet edhe një valë e rrezikshme thatësire në rajon. Këtë gjë e ilustrojnë mjaft mirë edhe këto harta, ku Shqipëria dhe sidomos jugu i vendit dallohet qartë nga ngjyra e kuqe, që sinjalizon rrezikun. Thatësira dhe temperaturat e larta do të rrisin ndjeshëm edhe rrezikun për zjarre.
Roel Korkuti – SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.