DEMOKRACIA GJATË COVID-19 / Raporti i “Freedom House”, Meta: Konfirmoi se qeveria anashkaloi çdo proces demokratik
Pas publikimit të raportit të “Freedom House” për nivelin e demokracisë gjatë periudhës së COVID-19 në Shqipëri, ka reaguar presidenti Ilir Meta, i cili thotë se konkluzionet “konfirmojnë qartësisht se vendi po rrëshket me shpejtësi drejt një junte me “grusht të hekurt”. Meta citon raportin, duke theksuar se “sistemi i kontrolleve dhe balancave përgjithësisht ka dështuar, legjislativi është shkrirë një me ekzekutivin, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale, dhe qeveria ka anashkaluar çdo proces demokratik”.
“Alarmuese janë gjithashtu të dhënat e raportit se “krahu ekzekutiv që ishte edhe më parë dominues në këtë sistem, u fuqizua edhe më shumë. Policisë iu dhanë më shumë kompetenca, duke bërë arrestime dhe vendosur gjoba të mëdha dhe njerëzit janë hetuar për postimet e tyre në Facebook, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Paketa antishpifje megjithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, po vazhdon të kalojë në procesin parlamentar dhe ka përkeqësim të qasjes tek informacioni dhe transparenca qeveritare.”
Teksa iu referohet zgjedhjeve të 25 prillit, Meta thotë see shqiptarët po përgatiten për Referendumin më të rëndësishëm në këto 30 vite kundër tiranisë dhe babëzisë së një bande, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as të drejta të njeriut, as Familje dhe as Atdhe. Ndër të tjera, ekspertët që plotësuan pyetësorin për Shqipërinë, përmendën ndër sfidat më të mëdha përsa i takon demokracisë, anashkalimin e çdo procesi demokratik dhe faktin që qeveria qeverisi me dekrete që ndryshonin çdo ditë, ndërsa gjykatat ishin mbyllur dhe masat e qeverisë nuk mund të sfidoheshin.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.