Dëmshpërblim për të përmbyturit. Cilat janë alternativat që mund të përdorë qeveria?
Qeveria do të kompensojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit. Premtimin e ka bërë Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile.
Por cilat janë alternativat ose burimet që mund të përdorë qeveria për të dëmshpërblyer të përmbyturit?
Kompensimi i dëmeve mund të jetë në dy variante, ose me një ndryshim të buxhetit të shtetit për vitin 2017, pra me një VKM të veçantë, ose nëpërmjet fondit rezervë që ka Këshilli i Ministrave.
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, akoma nuk ka një vendim për ndërhyrje në buxhet, kështu që mundësia e vetme mbetet alternative e dytë, ajo e fondit rezervë. Ky fond duhet se do të jetë “shpëtimi”.
Në nenin 3 të Aktit Normativ të buxhetit të shtetit të këtij viti fondi rezervë i buxhetit është parashikuar ne vlerën e 2.4 miliard lekësh. Ky është neni i cili parashikon fondet rezervë në buxhetin e shtetit, fonde të cilat qeveria mund ti përdorë sipas nevojave të saj.
Por vetëm në rastet kur ndodhin “fatkeqësi natyrore” si përmbytjet, kujtohemi për fondet e pakta të rezervave apo dhe emergjencave civile.
Eksperienca e viteve të shkuara, kur dhe përmbytjet kanë qenë të konsiderueshme në shumë zona të vendit, fondet kanë qenë të pamjaftueshme, ndërsa qeveria ka përdorur fondet rezervë për të përballuar këto nevoja.
Në vitin 2016 fondi i kontigjencave ishte 2.2 miliardë lekë, një vlerë kjo më e madhe se e një viti më parë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.