Dëmtimi i peshkut, padi koncesionit – “Bio Trofta Dibër” çon në gjykatë kompaninë italiane
Kompania “BALKAN GREEN ENERGY”, që ka me koncesion hidrocentralin e Arrasit në Peshkopi, është paditur në gjykatë nga Shoqëria “BIO TROFTA DIBËR” për dëmtim të prodhimit si rezultat i rrëshqitjes së dherave. Në padinë e dërguar në Gjykatën e Lartë, kompania e prodhimit të troftës akuzon se në datat 10-13 Nëntor 2016 ka pësuar humbje të mëdha me mbi 80% të prodhimit të troftës, si rezultat i rrëshqitjes së masivit të argjilës e inerteve nga vendi i quajtur Gjegjan. Paditësi pretendon se rrëshqitja e masivit të argjilës ka ndodhur për shkak të ndërhyrjes të palës së paditur Shoqërisë “BALKAN GREEN ENERGY” në HEC Arras, Peshkopi.
“BIO TROFTA DIBËR” kërkon gjithashtu detyrimin e palës së paditur të paguaj dëmin e shkaktuar paditësit për punimet e kryera pa leje mjedisore në HEC Arras, në shumën 300 mijë Euro. Njëherësh ajo kërkon edhe detyrimin e kompanisë koncesionare të bëjë rehabilitimin e masivit argjilor tek vepra e marrjes, me studim hidrogjeologjik që të jepet garanci për aktivitetin prodhues të kërcënuar të paditësit.
Padia është depozituar fillimisht pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, e cila e ka dërguar në Gjykatën e Lartë për motive juridiksioni. Por më 29 mars 2017, Gjykata e Lartë ka vendosur të rikthejë çështjen për gjykim në Dibër duke vlerësuar se Gjykata e këtij rrethi I ka të gjitha të drejtat për zgjidhjen e konfliktit.
Shoqëria BALKAN GREEN ENERGY operon në Shqipëri nga viti 2006. Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të regjistrimit administrator i saj është Eugenio Rosatto, ndërkohë që zotërohet 100% nga shoqëria ESSEGEI.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.