Denaj: Raporti i Komisionit Evropian vlerëson masat e ndërmarra nga Shqipëria
Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë konfirmoi qartë drejtimin e duhur që po ndjek Qeveria në një sërë reformash: që nga ajo e drejtësisë, energjisë, ajo e financave publike, arsimit dhe punësimit.
Ministrja Denaj theksoi përmirësimet e bëra gjatë këtyre viteve në fushën e ekonomisë ku përmendi :
-Arritjen e nivelin më të lartë të ekonomisë në 10 vitet e fundit, një rritje cilësore me ndikim të drejtpërdrejtë në punësim.
-Investimet e huaja direkte arritën mbi 1 miliard Euro dhe niveli i borxhit publik për vitin 2018 arriti 67.2% i PBB. Së bashku me reduktimin e kredive të këqija në nivelin e 11 %, bëjnë që Shqipëria të ngushtojë hendekun e saj ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian.
-Shqipëria arriti shkallën më të lartë të punësimit në rajon me 52.1 për qind duke shënuar rritjen më të madhe me 1.8 pikë përqindje në vitin 2018. Hendeku gjinor në pjesëmarrjen në forcat e punës dhe në punësim ka ardhur duke u reduktuar.
“Shqipëria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë angazhohet çdo vit në procesin e hartimit të Programit të Reformave Ekonomike si një nga bazat e plotësimit të kriterit ekonomik. Deri më sot kemi realizuar me sukses një sërë rekomandimesh nga Dialogu Ekonomik dhe Financiar mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së”- tha Denaj.
Ministrja shprehu mirënjohjen për partnerët Evropian dhe shpreson që Shqipëria të arrijë një nivel tjetër më të lartë dhe më intensiv, atë të hapjes të negociatave për të adresuar më tej sfidat e mbetura.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.