Denaj: Udhëzim i ri për “Personat Fizik” – Lëvizja vjen si një mekanizëm më shumë për të aplikuar tatimin e të dypunësuarve
Në një intervistë lidhur me aplikimin e tatimit kumulativ për të dy punësuarit, Ministrja Denaj ka lajmëruar dhe një udhëzim të ri me rregulla të reja për personat fizikë në mënyrë që të mos shmangin detyrimet fiskale.
Deklarimi i të ardhurave me aplikimin e skemës për të dypunësuarit është shtyrë deri në fund të muajit Qershor. Ministrja Denaj ka folur për SCAN lidhur me një udhëzim të ri për njerëzit me statusin e Personit Fizik të cilët parashikohen të jenë “varka e shpëtimit” për të mos paguar tatimin e plotë sipas sistemit të ri.
“Ne kemi filluar të punojmë edhe për një udhëzim i cili do të ketë disa kushte më shumë për ata që do të kenë Nipt-e. Nuk mund të ndodhi që një doktor në një spital punon dhe merr një rrogë dhe pastaj shkon dhe hap një Nipt për të punuar në një spital tjetër. Por dua të tregoj që këto janë pjesë e një punësimi të plotë dhe jo e një personi fizik më vete sepse duhet të ketë klinikën e tij personale. Ne po bëjmë edhe udhëzime të cilat do të jenë pjesë e zbatimit në vitin që vjen në mënyrë që të gjitha këto fenomene që kanë ndodhur në çdo vend të botës dhe që ndodhin zakonisht për të parë të çarën në sistem të jenë sa më të kufizuar dhe administrate të punojë dhe të ndërgjegjësojë të gjithë personat”, është shprehur Denaj.
Me tej Denaj shtoi se administrate tatimore do të jetë në gadishmëri për të zbuluar pikërisht ato raste të cilat shfrytëzojnë hapësirat e ligjit për të mos paguar vlerën e plotë të tatimit të të ardhurave personale.
“Koha mund të mos ketë qene e mjaftueshme sepse është edhe një aplikim për herë të parë dhe për këtë jemi mirëkuptues, nuk do të ketë aplikacion të gjobave, dua ta them këtë sepse kam pasur dhe unë pyetje që pas datës 10 prill si do ja bëjmë, nuk kemi deklaruar, nuk do të ketë gjoba, kjo nuk bëhet për të vendosur gjoba, kjo bëhet për të vendosur një parim bazë në shinat e zbatimit të plotë për të gjithë”, ka thënë Denaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.