Depozitat arrijnë 2.89 mld euro, ndërmarrjet rritje vjetore prej 14.1%
Depozitat në sektorin bankar në Kosovë kanë shënuar rritje të përshpejtuar në gjashtë mujorin e parë të vitit. Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera gjithsej e depozitave, deri në qershor 2017 arriti në 2.89 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë depozitat kanë një rritje prej 7.2 për qind, nga 4.6 për qind në qershorin e 2016.
“Niveli i depozitave në sektorin bankar reflekton ecurinë e depozitave të ekonomive familjare, të cilat dominojnë strukturën gjithsej të depozitave dhe në periudhën raportuese shënuan rritje vjetore prej 5.4 për qind”, thuhet në raportin tremujorit të dytë të BQK-së.
Në gjysmën e parë të vitit, depozitat e ndërmarrjeve shënuan rritje të përshpejtuar vjetore prej 14.1 për qind, që mund të jetë ndikuar nga rritja e normës mesatare të interesit në depozitat për ndërmarrjet.
Sipas kategorive të depozitave, depozitat e transferueshme vazhduan të rrisin pjesëmarrjen në strukturën e gjithsej depozitave, por me ritëm më të ngadalësuar krahasuar me periudhën e njëjtë të dy viteve paraprake. Në anën tjetër, depozitat e kursimit dhe ato të afatizuara zvogëluan pjesëmarrjen, që mund t’i atribuohet deri në një masë normës së ulët të interesit që po mbizotëron në depozita.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.