Depozitat në bankat greke – Bien për shkurtin, ndikojnë bisedimet me kreditorët
Depozitat në bankat e sektorit privat në Greqi kanë rënë në muajin Shkurt për të tretin muaj radhazi, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore. Shqetësimet prej zgjatjes së rishikimit të programit të shpëtimit në vend, i kanë çuar ato në nivelet më të ulëta në 16 vite.
Depozitat e bizneseve dhe ekonomive familjare ranë në 119.07 miliardë euro, niveli më i ulët që prej Tetorit 2001, krahasuar me 119.75 miliardë që ishin në Janar. Guvernatori i Bankës së Greqisë, Yannis Stournaras i bëri thirrje qeverisë që të arrijë një dakordësi me kreditorët, në mënyrë që të mos ketë më pasiguri te investitorët.
Banka e Greqisë deklaroi se kishte një fluks dalës në depozitat e ekonomive familjare prej 638 milionë euro në muajin Shkurt, ndërsa për korporatat, rënia arrinte në 113 milionë euro. Bankat greke kanë pasur një fluks hyrës në depozitat e vogla pasi vendi arriti programin e tretë të shpëtimit me kreditorët në vitin 2015, për të qëndruar në Eurozonë.
Pas këtij programi, Athina lehtësoi kufizimet e kapitalit, ndërkohë që u bë progres në reformat e kërkuara nga kreditorët, gjë që solli një besim të përmirësuar në sistemin bankar. Megjithatë, grupi ndërmjet kredive dhe depozitave ka detyruar bankat e sektorit privat që të mbështeten në huamarrje nga BQE dhe Banka e Greqisë për të mbushur hendeqet.
Nga Dhjetori 2015, në Korrik të vitit 2016, në sektorin bankar të Greqisë pati një tërheqje të depozitave prej 42 miliardë euro. Kontrollet e kapitalit ndihmuan në përmbajtjen e këtij fluksi dalës, por nga ana tjerë rritën ndjeshëm varësinë e bankave për mbështetje emergjencë me likuiditet (ELA) nga Banka e Greqisë. Javën e kaluar, BQE rriti tavanin e këtyre fondeve që bankat greke mund të tërheqin me 400 milionë euro në 46.6 miliardë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.