Depozitat zgjerohen me norma të larta – Depozitat në valutë shënuan një nga rritjet më të mëdha të viteve të fundit
Paralelisht me përmirësimin e kredisë, depozitat në banka u zgjeruan me ritme të larta në tremujorin e tretë. Sipas Bankës Qendrore, norma vjetore e rritjes të tyre shënoi 10.3%, krahasuar me 8.3% një tremujor më parë. Kjo rritje ka reflektuar më së shumti zgjerimin prej 13.2% të ritmeve të rritjes së depozitave në valutë, të cilat shënuan një nga normat më të larta të rritjes së viteve të fundit.
Përshpejtimi i ritmeve të rritjes në këtë segment reflekton hyrjet e larta valutore në vend si pasojë e turizmit, remitancave dhe aktivitetit të bizneseve, si dhe ndërmjetësimin më të lartë të bankave në valutë. Sipas strukturës kohore, vihet re se rritja depozitave vijon të mbështetet në komponentin likuid, por ndryshe nga më parë është vënë re një rritje e lehtë e depozitave me afat.
Përshpejtimi i ritmeve të rritjes së depozitave ka reflektuar më së shumti rritjen me 27.5% të depozitave të bizneseve. Kjo ecuri reflekton rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike, formalizimin e ekonomisë, si dhe flukse më të larta hyrëse të lidhura me aktivitetet e sektorit publik, si në formën e rimbursimeve më të larta të TVSH-së, ashtu edhe në formën e shpenzimeve të lidhura me Fondin e Rindërtimit. Për pasojë, pjesa më e madhe e këtyre depozitave ka marrë formën e depozitave rrjedhëse pa afat, e cila vijon të dominojë rritjen e depozitave dhe strukturën e tyre.
Depozitat e individëve kanë treguar një rritje vjetore prej 7.2%, krahasuar me 6.4% në tremujorin e dytë. Kjo rritje ka reflektuar përmirësimin e ritmeve të rritjes së depozitave në valutë, të cilat kanë kompensuar ngadalësimin e normave të rritjes së depozitave në lekë. Ngadalësimi i kësaj të fundit është ndikuar edhe nga preferenca e individëve për të vendosur kursimet në letrat me vlerë të qeverisë.
Gjithashtu, këtë tremujor vihet re preferenca e individëve për të depozituar kursimet e tyre në depozita në valutë me maturitet mbi dy vjet, të cilat u zgjeruan ndjeshëm, të ndikuara edhe nga ofertat që shumë prej bankave të sistemit kanë prezantuar gjatë kësaj periudhe.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.