Depozitimi i detyrueshëm i bilanceve – QKB, bizneseve: Dorëzoni pasqyrat financiare, afat deri më 31 korrik
Bizneset që janë subjekt i tatim-fitimit kanë kohë deri me 31 korrik për të depozituar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare vjetore, raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë dhe vendimin ligjor për miratimin e bilanceve.
Përmes një njoftimi zyrtar, kjo Qendër u është drejtuar të gjithë subjekteve që janë regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim fitimi për t’i kujtuar se afati përfundimtar për dorëzimin e dokumentave është jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.
QKB njofton se depozitimi i dokumentave të sipërcituara mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimit online në portalin qeveritar e-albania, duke ndjekur të gjitha hapat e procedurës për kryerjen e aplikimit; Ndërkohë që formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF, ku çdo dokument të ngarkohet si një dokument i vetëm.
Nëse subjektet nuk përmbushin këtë detyrim, do të përballen me sanksionet e caktuara në ligj, thekson në njoftim Qendra Kombëtare e Biznesit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.