Detajet/ Si do të bëhet kontrolli anti-plagjiaturë i doktoraturave! Nga arkivi digjital te programi i skanimit automatik e vendimi i rivlerësimit
Ministria e Arsimit pritet që të sigurojë një program për kontrollin automatik të plagjiaturave të disertacioneve të paraqitura për fitimin e gradave shkencore në vend. Në vendimin e miratuar nga qeveria, parashikohet fillimisht krijimi i arkivit digjital të disertacioneve të përdorura për fitimin e gradave shkencore në institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik, në Republikën e Shqipërisë, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin apo institucioneve të ngarkuara prej saj.
Institucionet e arsimit të lartë si dhe çdo institucion tjetër shtetëror që disponon kopje origjinale të disertacioneve kanë detyrimin që, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të depozitojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin kopje të njësuar me origjinalin të disertacionit, si dhe materialin në formë elektronike.
“Ministria përgjegjëse për arsimin kryen kontrollin digjital antiplagjiaturë të disertacioneve të përdorura për marrjen e gradës shkencore, në institucionet e arsimit të lartë, publik dhe jopublik. Për kryerjen e kontrollit digjital antiplagjiaturë, ministria siguron software për kontroll automatik si dhe programe apo pajisje të tjera që i shërbejnë kontrollit për plagjiaturë të disertacioneve të paraqitura për fitimin e gradës shkencore” përcaktohet në vendim.
Ministria përgjegjëse për arsimin i përcjell institucioneve të arsimit të lartë rezultatet e gjetjeve nga kontrolli antiplagjiaturë, mbi bazën e të cilave do të bëhet rivlerësimi përfundimtar mbi gradën shkencore të dyshuar si plagjiaturë.
“Institucioni i arsimit të lartë, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga vënia në dispozicion e gjetjeve të kontrollit antiplagjiaturë, i njofton ministrisë përgjegjëse për arsimin vendimin e rivlerësimit përfundimtar për çdo gradë shkencore të shqyrtuar” vijon vendimi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.