Detyrat për ERE – Ja çfarë kërkoi Kuvendi për tarifat dhe tregun
Kuvendi tashmë i shpërndarë duket se la në fund të tij një seri detyrash për Enti Rregullator të Energjisë që nis nga tarifat tek tregu apo investimet e operatorëve.
Kështu lidhur me çmimin e energjisë projektrezoluta parashikon vendosjen e një raporti sa më të drejtë në kushtet kur kemi ndryshime rrënjësore në model.
“Në miratimin e tarifave të reja t’i kushtojë një vëmendje të veçantë, nga njëra anë mbrojtjes së konsumatorëve për tarifa dhe çmime sa me të drejta e të përballueshme dhe nga ana tjetër rritjes së cilësisë së shërbimit dhe performancës së kompanisë” thuhet në pikën e parë të projektrezolutës.
Po kështu i njëjti dokument vë theksin tek nxitja e krijimit të ë një tregu të brendshëm dhe hapjen efektive të tregut për të gjithë klientët dhe furnizuesit, në veçanti në dritën e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke siguruar shërbime të drejta, të sigurta dhe të argumentuara për klientët dhe përdoruesit e sistemit energjetik në vend si dhe të mbështesë investime strategjike dhe teknologjike të cilat rrisin konkurrencën, përmirësojnë nivelin e shërbimeve në tregun e energjisë elektrike.
Mes të tjerash theksi vihet tek risku hidrologjik i Shqipërisë duke bërë thirrje për nxitje të investimeve për burime të reja energjie. Në fund kërkohet me ngulm plotësimi i legjislacionit sekondar që përvijon modelin e ri të tregut sipas ligjit për sektorin e energjisë elektrike.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.