Detyrimet e papaguara dhe çregjistrimi i makinave, Tatimet apel: Përfitoni nga falja! Pas 31 dhjetorit, masa shtrënguese për mbledhjen e tyre
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën apel atyre që kanë detyrime të prapambetura që të përfitojnë nga fshirja me kusht e tyre. Afati i fundit është 31 dhjetori i këtij viti. Ndërsa apelon për shfrytëzimin e kësaj mundësie, Tatimet bëjnë me dije se pas kësaj date, debitorët do të jenë të ekspozuar përpara masave shtrënguese të mbledhjes së detyrimeve tatimore të papaguara.
Mundësia që ofrohet është fshirja e gjobave dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi për:
detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;
kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014;
taksat/tarifat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014.
Tatimet kujtojnë tatimpaguesit që mund të përfitojnë nga fshirja me kusht e detyrimeve, që t’i drejtohen çdo banke të nivelit të dytë duke kryer pagesën, vetëm për detyrimin principal për tatimin/taksën/kontributin/tarifën.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.