Deutsche Bank del nga lista – Nuk është më një prej 15 bankave më të mëdha në botë
Deutsche Bank nuk është më një prej 15 bankave private më të mëdha në botë, rrjedhojë e një viti mjaft të vështirë për huadhënësit gjerman, tregon një studim i fundit.
Të ardhurat e gjigandit gjerman ranë me 28%, në 227 mld dollarë gjatë vitit të kaluar. Si rrjedhojë, Deutsche bank ra në vendin e 16-të ndër 25 bankat e marra në analizë. Burime brenda bankës thonë se, kjo rënie vjen kryesisht si pasojë e shitjes së disa aseteve dhe tërheqjes nga 50 vende të ndryshme të botës.
Në 2016, Deutsche Bank pranoi që t`i paguante 7.2 miliardë dollarë administratës së drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një skandal që buron që prej krizës financiare globale.
Gjithsesi, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, huadhënësi gjerman raportoi një rritje të papritur të fitimeve, pavarësisht se, të ardhurat nuk e arritën dot objektivin. UBS mbetet banka numër një në botë, me asete që vlejnë plot 2.06 trilionë dollarë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.