Dhënia e notave me ryshfet – Arrestohet Dekani i Universitetit të Elbasanit dhe 6 persona të tjerë
Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij qarku kanë arrestuar 7 persona, të cilët akuzohen për korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të detyrës publike. Mes tyre, janë venë në pranga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, shefja e departamentit të Gazetarisë, si dhe një pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në këtë qytet, të cilët jepnin nota kaluese studentëve kundrejt një shume parash gjatë sezonit të provimeve.
Në kuadër të këtij operacioni pas një hetimi disa mujor me metoda speciale u bë e mundur arrestimi i shtetasve:
1- A.R, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.
2- E.L, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.
3- E.C, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, Pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.
4- P.K, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit.
5- A.K, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit.
6- A.N, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit.
7- M.C, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.
“Arrestimi i tyre u krye në zbatim të vendimit nr.315, datë 08.05.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të parashikuara nga neni 245/1/2 dhe 259 i Kodit Penal, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm, në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve”.
Vazhdojnë hetimet për evidentimin e veprimtarisë kriminale edhe ndaj persona të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.