Dhoma e Përfaqësuesve bllokon Trump/ Kalon masën që pengon përdorimin e ushtrisë në Iran!
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara kaloi një rezolutë për të ndaluar presidentin Donald Trump që të përdorë ushtrinë kundër Iranit, pas sulmit me dron që vrau komandantin e lartë Qasem Soleimani. Dhoma e kontrolluar nga demokratët votoi me 223 pro dhe 194 kundër, duke çuar rezolutën në Senat. Vota reflektoi ndarjen në Kongres për politikat e Trump ndaj Iranit dhe fuqinë në vendimmarrje që politikanët duhet të kenë në përdorimin e ushtrisë. Demokratët akuzuan Trump për veprimet e shpejta dhe mbështetën rezolutën, ndërkohë që republikanët e kundërshtuan. Kryetarja e dhomës, Nancy Pelosy, fajësoi Shtëpinë e Bardhë që nuk u konsultua me Kongresin përpara sulmit me dron që vrau komandantin Soleimani në Bagdad.
”Detyra jonë është të mbajmë popullin amerikan të sigurt. Kjo është përgjegjësia kryesore. Dhoma e Përfaqësuesve do të kalojë rezolutën për të limituar veprimet ushtarake të presidentit, në lidhje me Iranin.” është shprehur Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Republikanët thanë se demokratët kanë rrezikuar vendin duke u përpjekur të kalojnë një rezolutë që e quajnë si një gjest politik të kotë, në nisje të zgjedhjeve të përgjithshme në SHBA.
“Do doja t’i dëgjoja ata duke mbrojtur Iranin dhe djegien e ambasadës amerikane”, tha republikani kryesor në dhomën e Përfaqësuesve, Kevin Mçarthy.
Rezoluta do ta ketë të vështirë Senatin, ku republikanët mbajnë 54 vende nga 100 dhe nuk votojnë kundër presidentit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.