Dhunohet inspektori i tatimeve, MFE dënon sulmin: Të angazhuar në betejën kundër informalitetit
Ditën e diel është shënuar një incident në zonën e Golemit gjatë një kontrolli të grupit të inspektorëve të Sektorit të Zbatimit, nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Gjatë ushtrimit të detyrës në një subjekt pranë “Pishave të Buta”, tre inspektorët kontatuan se subjekti ushtronte aktivitetin në fushën e shërbimit, pa lëshuar kupon tatimor.
Mbi bazën e kësaj shkeljeje inspektorët e zbatimit informuan subjektin për penalizim me masën bllokim aktiviteti për 30 ditë kalendarike. Por pas komunikimit të kësaj mase, pronari i subjektit ka reaguar duke ushtruar dhunë fizike ndaj inspektorit O.B. duke e goditur në fytyrë, goditje e cila i ka shkaktuar inspektorit frakturë dhe hemoragji në hundë dhe sy.
Për ngjarjen u njoftuan forcat e rendit, ndërsa inspektori u dërgua fillimisht për mjekim pranë spitalit të Durrësit dhe më pas u dërgua për trajtim më të specializuar pranë spitalit Ushtarak në Tiranë.
Pas incidentit ka reaguar edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila në një njoftim për shtyp shprehet se “dëshiron të përsërisë mesazhin e qartë se të gjithë strukturat tatimore të zbatimit dhe terrenit, mbeten të angazhuar për të vijuar zbatimin rigoroz të planit të masave për sezonin turistik. Beteja kundër informalitetit është beteja jonë e përbashkët me sipërmarrjen e ndershme, në favor të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Ne mbetemi këmbëngulës tek ligji, por patjetër tejet bashkëpunues me sipërmarrjen, për ta informuar, asistuar dhe këshilluar për vetëkorrigjim dhe rritje të pajtueshmërisë me ligjin”, shkruan deklarata e MFE.
Kontrollet në zonë po kryheshin në zbatim të planit të masave për sezonin turistik veror.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.