Dialogu Kosovë-Serbi vijon në nivel presidentësh – Të enjten takimi Thaçi-Vuçiç
Dialogu mes palëve do të vazhdojë ditën e enjte me “fazën e re të procesit të bisedimeve”, ashtu siç ishte lajmëruar pas takimit të 3 Korrikut mes Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Përfaqësuesja e lartë e diplomacisë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini do të presë ditën e enjte, më 31 Gusht të dy presidentët e vendeve të Ballkanit në Bruksel.
Në vijimësi të marrëveshjes së arritur në Korrik, Thaçi dhe Vuçiç do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimësinë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Synimi është përshpejtimi i dialogut, por duke mbetur një proces vlerash dhe standardesh që duhet të mbizotërojnë për të mirën e të dy popujve.
“Besoj se mundemi që deri në fund të këtij mandati të arrijmë qëllimin në drejtim të hapave konkretë dhe të rëndësishëm për secilin nga partnerët tanë ballkanikë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Mogherini në një fjalim para ambasadorëve të vendeve të BE-së.
Puna për këtë proces është ende në vijim. Ndërkohë, Mogherini dhe dy krerët e shteteve do të rishikojnë edhe gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët në dialog.
Nga katër marrëveshjet e arritura para dy vitesh, vetëm njëra është implementuar: ajo e telekomunikacionit, e cila e lejoi Kosovën të përftonte kodin e saj telefonik ndërkombëtar. Palët fajësojnë njëra-tjetrën për mosrealizimin e pjesës tjetër të përkushtimeve të marra në Bruksel.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.