Diaspora kërkon përfaqësim në Kuvend
Diasporës duhet t’i rezervohen ulëse në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të ketë një përfaqësim sa më të mirë politik për qytetarët të cilët jetojnë jashtë vendit. Kjo për faktin se diaspora ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në luftën e fundit të Kosovës, por vazhdon ta ndihmojë vendin financiarisht edhe pas pavarësisë nëpërmjet dërgimit të remitancave.
Faton Topalli, deputet i lëvizjes “Vetëvendosje” i cili ka edhe shtetësi zvicerane, mendon se emigrantët janë të përjashtuar nga politika kosovare.
“Qeveria e Kosovës i trajton mërgimtarët shqiptarë si njerkë. Ajo ua ka njohur të drejtën e votës në letër, por praktikisht, për shkak të procedurave të komplikuara të votimit, i ka përjashtuar nga pjesëmarrja në proceset politike. Për ta thuhen fjalë të mira, por bëhen zakonisht punë të këqija”, ka thënë Topalli.
Ai thotë se diaspora ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
“Shqiptarët e diasporës në kuptimin politik ishin faktorë i rëndësishëm para dhe gjatë luftës në Kosovë. Ata organizuam qindra demonstrata në vende të ndryshme të botës kundër dhunës së pushtetit serb në Kosovë”, ka shtuar më tutje ai.
Sipas tij, institucionet e vendit në marrëdhënie me vendet e tjera asnjëherë nuk e marrin parasysh mendimin e shqiptarëve të diasporës. Topalli thotë se kontributi i mërgimtarëve në Kosovë arrin shifra mjaft të mëdha, raporton Zeri.
“Kontributi i mërgatës është shumë i madh. Ajo është faktor i rëndësishëm i paqes sociale në Kosovë. Në vitin 2015 mërgata ka sjellë 780 milionë euro në Kosovë. Kjo shumë është dyfish më e madhe se të gjitha mjetet që ndahen nga buxheti i Kosovës për pensione, ndihma sociale, rroga e kështu me radhë”, ka përfunduar ai.
Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Prljaskaj, tregon se shqiptarët që jetojnë në Kroaci janë të gatshëm për investime në vendin amë.
“Diaspora shqiptare që jeton në Kroaci është e gatshme të investojë dhe të sjellë investitorë dhe punon në atë drejtim, mirëpo këtu janë shqetësimet e gjendjes politike dhe kjo është arsye pse nuk investohet më shumë”, ka thënë ajo.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.