Diplomacia ekonomike/Ekuacioni që kërkon zgjidhje!
Çdo qeveri e pas viteve ’90 në Shqipëri, herë të nënvijëzuar e herë jo, e ka shpallur pjesë të prioriteteve të saj diplomacinë ekonomike. Artikulimi më i plotë dhe ndoshta më serioz në zyrat tona diplomatike nisi diku në vitet 2004-2005, kur ekonomia jo fort e qëndrueshme kërkonte ndihmë edhe nga diplomacia, në përpjekje për të thithur sa më shumë investime të huaja dhe për të konsoliduar bazat e saj. Ishte kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, i cili u kërkoi po me forcë diplomatëve shqiptarë të kthenin kokën tek diplomacia që ndihmonte ekonominë. Megjithatë duhet pranuar se, deri tani, me pak përjashtime, diplomacia ekonomike ka qenë joaktive. Ndaj, pak javë më parë, shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama, zgjodhi gjuhën e ashpër për t’u folur diplomatëve shqiptarë, të dërguar anekënd botës. Një gjuhë që ngjalli reagime të shumta korridoreve të politikës dhe të vetë diplomacisë. Çfarë u kërkoi Rama ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm, në fjalimin e radhës, siç e cilëson edhe vetë shefi i qeverisë, kjo tashmë është temë e tejkaluar, por si do të arrihet qëllimi, është një ekuacion që tashmë kërkon zgjidhje.
Ankesa dhe kërkesa
Kreu i ekzekutivit shqiptar u ankua aq shumë ndaj diplomatëve që kishte mbledhur, sa iu desh të përfshinte dhe veten tek “grupi i përgjegjësve” për këtë situatë: natyrisht vetë diplomatët dhe konsujt e përgjithshëm, si dhe lidershipin e Ministrisë së Punëve të Jashtme – tashmë me emër të ndryshuar e të shtuar. Ankesat e Ramës rreth raportit të diplomacisë shqiptare me ekonominë e vendit nuk ishin thjesht mbi mungesën, sipas tij, dramatike 27-vjeçare të diplomacisë ekonomike, por dhe një lloj “mea culpa”, për të hapur më pas një trase të re në diplomacinë shqiptare, pikërisht atë për ekonominë.
Si dhe sa mbeten dy pyetje kryesore, që do të kërkojnë, sikurse e pranoi dhe vetë Rama, “një projekt të plotë dhe një plan të kalendarizuar”, pasi diplomacia ekonomike është përcaktuar tradicionalisht si një fushë e artikuluar mirë veprimesh dhe masash. Një projekt i tillë, i madh, hyn në fushën e strategjive, nëse nuk ka pasur ndonjëherë një të tillë. Por strategjia, me planet e saj, nuk mund të shmangë detajet. Detajet shpesh janë shumë të rëndësishme për të finalizuar një qëllim të caktuar.
Këtu duket se ndahen politikë-bërësit nga ata që bëjnë diplomaci.
Të parët, me ose pa dashje, përpiqen ta kalojnë topin e dështimit në fushën e diplomatëve. Këta të fundit, për shkak të natyrës diskrete të profesionit, e kanë të vështirë të reagojnë. Por jo të mos kërkojnë plotësimin e kërkesave më elementare për të përmbushur qëllimin që diplomacia ka. P.sh., asgjë nuk i pengon ambasadorët që të kërkojnë atashe tregtar, aty ku organika e parashikon një pozicion të tillë pune. Sepse pak e dinë që thuajse të gjitha ambasadat shqiptare nëpër botë nuk kanë atashe tregtar, ndërkohë që, pavarësisht tregut të vogël që ofron Shqipëria, një pjesë e madhe e ambasadave të huaja në Tiranë kanë nga një ose dy atashe ekonomikë. Kosova, një shtet relativisht i ri, po i plotëson në mënyrë graduale ambasadat e saj me atashetë, që mbulojnë tregtinë dhe ekonominë. Një atashe tregtar konsiderohet shtyllë për të përmbushur objektivat e një shteti, në fushën e interesave ekonomike që vetë shteti ka. Shumë ekspertë mendojnë se mungesa e atasheve ekonomikë në ambasadat shqiptare është një handikap i madh, që nëse vazhdon si problem, mund të kthehet në sistem. Diplomacia ekonomike, si art i garantimit të sigurisë ekonomike dhe përmbushjes së interesave strategjike kombëtare të një shteti, duke përdorur instrumente ekonomike në marrëdhëniet ndërshtetërore, nuk mund të konkretizohet nga diplomatë pas asnjë lidhje me ekonominë. Atashetë tregtarë konsiderohen kudo njerëz ekspertë në këtë fushë, analistë të treguesve ekonomikë e tregtarë, po aq sa dhe intuitivë të pashmangshëm e ndjekës të rregullt të tregjeve globale, të tendencave dhe zhvillimeve të tyre.
Profesionistët e përcaktojnë suksesin e diplomacisë ekonomike të lidhur ngushtë me aftësinë për të ndikuar proceset e politikëbërjes dhe në vendimmarrjen mbi aspektet rregullatorë, qoftë nga qeveritë e vendeve të huaja apo organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Kjo lloj diplomacie shtrihet përtej stimulimit të tregtisë dhe investimeve, duke përfshirë edhe zgjidhjen e një sërë problematikave, që lidhen me konflikte të ndryshme ndërkombëtare. Për më tepër që, diplomacia ekonomike mbështetet në një ekspertizë teknike, e cila analizon efektet e situatës ekonomike të vendit për klimën politike, si edhe për interesat ekonomike vendase.
Në kushtet kur ambasadat shqiptare nuk kanë atashe tregtarë pranë tyre, t’u kërkosh atyre të vrapojnë pas diplomacisë ekonomike, është joprofesionale; edhe nëse kjo realizohet, produkti final do të jetë i padobishëm. Sigurisht që edhe ambasadorët, si përfaqësuesit diplomatikë të shkallës më të lartë që ka një shtet pranë një shteti tjetër, kanë rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dy ose shumëpalëshe. Megjithatë, detyrat e një ambasadori lidhen me misionin që ka në tërësi një diplomat dhe jo me detyra specifike, siç i kanë atashetë ekonomikë. Ndaj, këta të fundit janë të domosdoshëm në ambasadat tona, sidomos në ato vende me treg të gjerë e nga i cili presim investitorë potencialë.
Pengesa dhe përmirësime
Sikur problemi i vetëm të ishte vetëm mungesa e atasheve ekonomikë pranë ambasadave shqiptare, do përbënte një rast fatlum. Pasi më shumë si mungesë vizioni, besohet si neglizhencë a burokraci që mund të zgjidhej brenda një kohe të shkurtër. Diplomacia në tërësi, dhe ajo ekonomike në veçanti, kanë një sistem disi ndryshe të të funksionuarit. Mekanizmi i tyre i sofistikuar ka një lidhje të pashmangshme me politikën e brendshme të një shteti. Nuk kanë funksionuar dhe nuk mund të funksionojnë ndaras.
Mungesa e investimeve të huaja shpesh lidhet me problemet e brendshme të një shteti dhe nuk ka lidhje me aftësinë apo paaftësinë e të dërguarve të tij nëpër botë. Përcaktues për rezultatin e diplomacisë, dhe asaj ekonomike, mbetet politika e brendshme e një shteti.
Nëse një vend ka tregues të lartë të korrupsionit, thuajse e ka të pamundur të afrojë investitorë. E njëjta situatë ndodh edhe kur taksat janë të larta, procedurat janë, veçse burokratike që u krijojnë kosto në financa dhe energji sipërmarrësve, edhe të gjata e të mërzitshme. Duke përfshirë këtu dhe një sistem drejtësie të vënë në shënjestër pikërisht për mungesë drejtësie, tabloja bëhet edhe më e zymtë.
Statistikat janë tjetër gjë, perceptimi gjë tjetër, ndërsa situata reale është komplet histori tjetër.
Pavarësisht se Shqipëria konsiderohet një treg tërheqës në rritje, me kuadër ekonomik të liberalizuar dhe kushte deri diku te përshtatshme për të bërë biznes, investitorët e huaj kanë munguar dukshëm.
Pavarësisht se janë ndërmarrë një sërë reformash strukturore në forcimin e ligjit dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe modeli ekonomik ka fokusuar prodhimin dhe eksportet, përsëri investitorët potencialë mungojnë. Fondacioni “Heritage” në raportin e Indeksit të Lirisë Ekonomike për vitin 2016, e renditi Shqipërinë në pozicion shumë të favorshëm, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kështu, Shqipëria u rendit në vendin e 59-të në rend botëror dhe të 27-të në rang rajonal, me 65.9 pikë. Parametrat që pësuan përmirësim janë treguesit për lirinë ekonomike (+0.2), për të drejtën e pronës (+5.0), për lirinë nga korrupsioni, (+2.0), për lirinë fiskale (+0.6), për lirinë monetare (+0.9).
Por pyetja prej “1 milion dollarësh” mbetet sërish: Përse në Shqipëri mungojnë investimet e huaja, sipërmarrësit potencialë?!
“Në harkun kohor të 4 viteve, të këtij mandati që po mbyllet, unë e kam shumë të vështirë të gjej në kujtesën time, rastin e fundit kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomikë, sipërmarrës, përfaqësues ndërmarrjesh, të sjellë apo të inkurajuar nga ju, për të ardhur dhe për të parë, nëse apo si mund të bëhet biznes në Shqipëri”. Ky konstatim i kryeministrit e ilustron më së miri situatën.
Fillimi i një zgjidhjeje
Porosia u dha: “Ekonomia e vendit është një fushë që Ministria e Jashtme nuk mund ta konsiderojë asnjë ditë më tutje jashtë sferës së përgjegjësive dhe detyrimeve të saj funksionale. Duhet dhe do të nisë kthesa dhe përgjegjësinë për fillimin e kësaj kthese do ta marrë dhe do ta mbajë të plotë për aq sa i takon natyrisht edhe secili dhe secila prej jush në këtë sallë”.
Tani çfarë mbetet për t’u bërë para se kthesa të fillojë?
Ata që i janë përkushtuar një jetë të tërë diplomacisë e kujtojnë me dhimbje përdorimin e saj nga politika. Po aq sa dhe motivimin e tyre moral dhe financiar, si dhe një staf i mjaftueshëm dhe profesional.
Motivimi i diplomatëve, në mënyrë që ata të ndjehen të barabartë me kolegët e tyre, ndoshta duhej të ishte hapi i parë i kësaj strategjie të madhe, e cila ka nevojë edhe për detaje të tilla që lidhen me mungesa të dukshme dhe të përditshme. Këtë e pranoi vetë Rama: “Diferenca ende e lartë në nivelin e pagave të ambasadorëve rreth nesh dhe të rajonit, për të mos marrë Evropën, përfshirë edhe vetë Kosovën, – ka ardhur koha të ngushtohet…”.
Distancimi i politikës nga shërbimi i diplomacisë do të ishte një shërbim i vyer për interesat e vendit. Keqpërdorimi i deritanishëm i këtij shërbimi nga politika, duke filluar nga emërimet joprofesionale dhe nepotike e deri tek largimi, herë me bujë e herë jo, i diplomatëve të karrierës nga ky shërbim, ka krijuar një hendek të madh midis shërbimit si duhet të ishte dhe si është. Shërbimi diplomatik, i cili për fat të mirë vazhdon të bartë ende vlera profesionale, ka pasur një qasje joaktive në raport me ekonominë e vendit. Qasja e re ndaj këtij raporti duket se është në prag, por a mund të jetë efektive ajo pa emëruar më parë atashetë tregtarë? Do të ishte një rikthim në pikën zero.
Në kushtet kur gjeopolitika përshpejtohet çdo ditë, kur globalizimi ka prishur ekuilibra të hershëm, duke përshpejtuar vendosjen e ekuilibrave të rinj, madje kërcënues, duhet vrap për të kapur kohën. Një plan i qartë kërkohet tashmë, ku prioritet duhet të ketë koordinimin mes shërbimit të jashtëm, ministrisë që i menaxhon dhe të gjithë ministrive e agjencive të tjera të zhvillimit në vend, për t’i dhënë secilit detyra dhe përgjegjësi konkrete, si pjesë e një strategjie që kërkon rrugë dhe mënyra për të ndryshuar realitetin e deritanishëm.
Ekuacioni i vështirë i diplomacisë ekonomike kërkon zgjidhje tashmë. Hapi i parë është hedhur. Të paktën me idenë për të ndryshuar.
U.Bajrami/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.