Regjistrimi i diplomave e certifikatave për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor – Procedura e aplikimit dhe tarifat
Diplomat dhe certifikatat për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor duhet të regjistrohen në regjistrin shtetëror. Ky i fundit, i cili është një bazë unike të dhënash e të gjitha formave të diplomave dhe certifikatave të lëshuara, mbahet në formë të shkruar dhe elektronike. Vendimi për regjistrimin e tyre është botuar në “Fletoren Zyrtare”, ku përfshin procedurën e aplikimit, si dhe tarifat përkatëse.
Sa i përket procedurës së aplikimit, qoftë për atë fillestar apo çdo regjistrim të mëvonshëm, fillimisht regjistrimi bëhet në bazë të aplikimit në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) me dosje. Kjo e fundit duhet të përmbajë një sërë dokumentesh, si:
- Kërkesën për regjistrim
- Vendimin e Senatit Akademik për miratimin e formës së diplomës, për çdo cikël dhe lloj programi studimi
- Aktin e hapjes së Institucionit të Arsimit të Lartë ( IAL-së)
- Aktin e akreditimit të IAL-së
- Aktin e hapjes së programit të studimit për të cilin lëshohet diploma
- Formën e akreditimit apo certifikatës që do të regjistrohet
- Dokumenti i pagesës së tarifës për regjistrim, në regjistrin shtetëror
Vendimi i Senatit Akademik për miratimin e formës së diplomës dhe dokumenti i pagesës së tarifës për regjistrim duhet të jenë origjinale ose kopje autentike me origjinalin.
Dokumentet të cilat duhet të jenë të plota dhe pa korrigjime, duhet të jenë në gjuhën shqipe ose të përkthyera në gjuhën shqipe. Brenda një afati prej 30 ditësh nga data e depozitimit të aplikimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore shqyrton dokumentet e paraqitura në dosjen e aplikimit.
Sa i përket tarifave të regjistrimit, si ai fillestar si ai i mëvonshëm në rast ndryshimi të përmbajtjes, ka një tarifë prej 3 mijë lekësh. Kjo vlen për çdo formë diplome apo certifikate të regjistruar.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.