Diskutimi në “Argument” – “Alarmet e Inflacionit të ulët”, a po ngadalësohet ekonomia shqiptare?
Në emisionin e sotëm “Argument” nga Enio Civici është diskutuar rreth disa prej treguesve më të rëndësishëm të ekonomisë së një vendi siç janë ato të Indeksit të Çmimeve të Konsumit dhe Inflacionit. Prej kohësh këto dy indikatorë nuk po munden të arrijnë objektivat e vendosura nga Banka e Shqipërisë, duke ngritur kështu disa shqetësime. Shqetësime statistikore që kanë filluar nga viti i kaluar, por kanë arritur kulmin në mbylljen e 2019-ës dhe mbeten ende të padiskutuara nga autoritetet shtetërore.
Moderatori Civici ka preferuar fillimisht të diskutojë rreth problematikave që shpreh Indeksi i Ndjesisë Ekonomike i publikuar për të disatën herë nga Banka e Shqipërisë dhe që prej kohësh është në një trend rënës, duke arritur në tre-mujorin e katërt të 2019-ës nivelin më të ulët.
Të dy ekspertët e ftuar në studio, Arben Shkodra dhe Rezart Prifti kanë dhënë mendimin e tyre rreth realitetit që kjo ndjesi përfaqëson tek ekonomia dhe individët shqiptarë.
Shkodra në fjalën e tij, u shpreh se ngadalësimi i ekonomisë po fillon të ndjehet në masë, dhe se gjysma e ekonomisë shqiptare është ende informale, gjë që ndonjëherë e bën të pamundur t’i referohesh statistikave:
“Jemi padyshim në fazën ku ka filluar të ndjehet ngadalësimi i ekonomisë. E thamë në 2018 se ajo po përkeqësohej, në fillim të 2019 viti u fut në një trajektore jo shumë të këndshme të rritjes ekonomike, ndërkohë që edhe nga Banka pati disa pritshmëri përtej normales. Më pas filluan korrigjimet e mundshme me ndihmën e FMN-së dhe Bankës Botërore. Ky Indeks ka filluar të pasqyrojë realitetin se ku ekonomia shqiptare ndodhet në shifra. Mirëpo unë kam mendimin se ekonomia reale kërkon edhe një këndvështrim tjetër. KLSH nxorri një shifër alarmante për të thënë që në 2019 kishim gjysmën e ekonomisë informale, ndërkohë që INSTAT mat vetëm ekonominë formale. Kjo e bën të pamundur ndonjëherë që t’i referohesh statistikave, kur kemi gjysmën e shoqërisë që është jashtë vëzhgimeve dhe matjeve.”
Nga krahu tjetër pedagogu Rezart Prifti është përgjigjur se gjithmonë e më shumë po ndjehet përkeqësimi i ekonomisë tek individët dhe se duhen marrë masa konkretë për të kontrolluar dhe matur gjysmën tjetër informale të ekonomisë:
“Ekonomia është marrëdhënie besimi. Indeksi i Ekonomisë tregon vetëm gjysmë-hënën e realiteti shqiptar. Kur themi gjysma informale, nuk është thjesht evazion fiskal, por kemi gjysmë kriminale. Ky 50% që po mban këtë gjysmën tjetër kemi një qarkullim të frikshëm të drogërave. Një statistikë e çuditshme, pyet nga firmat elektrike sa është ngritur çmimi i llambave që përdoret për ngrohje nëpër dhoma. Para 3 muajsh në të njëjtin emision raportuam që kishin rënë investimet, kjo i përket frikës. Te konsumi, tkurrja vjen nga fakti që njerëzit duan të ruajnë paranë që kanë. Procesi i besimit në një kohë padyshim që zgjat në kohë, Ne jemi ende në tatëpjetë dhe duhet të arrijmë pikun. Unë parashikoj që piku do të arrijë në mars të këtij viti. Sot që ne flasim, ku ekonomia është në pikiatë, bashkëngjiti edhe të ardhurat e parealizuara nga tatimet dhe taksat, po t’i bashkosh të gjitha vijmë tek pasqyrimi i ndjesisë. Kulmi i diskutimit në opinionin publik, shohim sot se është tek aktualiteti dhe ngjarje politike apo gjyqësore, prandaj jemi të shkëputur nga realiteti me këtë diskutim që po bëjmë.”
Po sipërmarrësit a ndjehen njësoj rreth këtij Indeksi Ndjesie ishte pyetja e radhës që moderatori Civici u bëri të ftuarve.
Shkodra në mendimin e tij u shpreh se shteti dhe qeveria nuk i ofruan besimin dhe lojalitetin e duhur sipërmarrësve dhe investitorëve, duke mos e arritur dialogun e dëshiruar me këta të fundit:
“2019 hynte pa entuziazëm dhe gjithashtu hynte me problematika. Ecuria është te entuziazmi. Shumica e investitorëve, që janë fitues të kontratave shtetërore, sigurisht nuk e kanë humbur entuziazmin. Ata që janë konkurrent me të tjerët në treg nuk ndjehen dhe aq shumë entuziastë për të thënë realitetin. Edhe tre-mujori i fundit i gjeti me problematika në kursin e këmbimit, me probleme të papunësisë, i gjeti me probleme në tregun e jashtëm, ku inflacioni ka ndikuar gjithashtu.
Por, më e rëndësishmja investitori dhe sipërmarrësi shqiptar nuk e gjeti lojalitetin tek shteti dhe qeveria. Ka tentativa, përpjekje për të arritur dialogun, por duke mos u ulur të diskutosh politikat publike që janë të munguara, të keq-orientuara, kjo padyshim sjell pasoja.”
Ndërkohë Z. Prifti preferoi të fliste për faktin se si ky Indeks ka ndikuar tek një pjesë, që në Shqipëri konsiderohet si shumicë, dhe ata janë pikërisht të rinjtë dhe studentët:
“Këtë Indeks Ndjesie shumëfishoje disa herë te pjesa e studentëve dhe të rinjve. Në Tiranë nuk është se nuk ka forcë blerëse, por nuk ka njerëz. Në Shqipëri në total nuk i ke 2.3 milion njerëz dhe censusi i famshëm nga INSTAT nuk u bë publik, për arsye se do i dilnin zbuluar mashtrimet. Të rinjtë janë shumë të nguruar për të konsumuar, ata e ndjejnë dëshpërimin më të madh. Për të marrë bursën duhet t’i kesh prindërit të dy invalidët, një kriter qesharak. Nuk ka mungesë më të madhe besimi te shteti se sa prej studentëve. Ata që duhet të konsiderohen si shumicë nuk janë fare në institucionet tona, por janë shpërndarë nëpër shtete të ndryshme evropiane. Në universitetet e Shqipërisë ke Shqipërinë e vërtetë. Në një auditor të universitetit të Tiranës, sot ke vetëm 3 veta nga shkollat e Tiranës. Unë e shoh përditë këtë situatë dhe është krejt ndryshe nga ajo çfarë pretendohet. Pra, gjendjen e të rinjve unë mendoj që nuk e përshkruajnë këto numra, por vetëm vargjet e Migjenit.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.