Distancimi social, shifrat e Shqipërisë – Eurostat: Dendësia e popullsisë, Tirana e para, Gjirokastra e fundit
Distancimi social është kthyer në kryefjalën e këtyre ditëve dhe me shumë gjasa do të mbetet mend gjatë në memorjen tonë kolektive. Por jo të gjithë e kanë njësoj të mundur distancimin social, sidomos në ambientet e përbashkëta, rrugë, dyqane, etj. Eurostat ka publikuar të dhënat për dendësinë e popullsisë në rajone të ndryshme të Europës. ne Shqipëri, mesatarja flet për 99.6 banorë për çdo kilometër katrorë sipërfaqe, ndërkohë që mesatarja e të 27 vendeve të Bashkimit Europian flet për 108.8 banorë për një sipërfaqe të tillë.
Krahasuar me rajonin ndërkohë, ku në analizë merret edhe Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, Shqiptarët duket të jenë ata që jetojnë më ngushtë me njërit tjetrin. Por brenda vetë Shqipërisë, kjo normë ndryshon ndjeshëm, nga Veriu në Jug. Qendra është ajo me dendësinë më të lartë të popullsisë, më pas vjen veriu i vendit me diferencë të ndjeshme dhe në fund jugu, me vetëm 67 banorë për kilometër katror, Qendra ndërkohë numëron mesatarisht rreth 234 banorë për kilometër katror.
Tirana mban padiskutim rekord me rreth 538 banorë për kilometër katror, çka do të thotë se në kryeqytet distancimi social është më i vështirë se në vendet e tjera, më pas ndjek Durrësi dhe Fieri. Gjirokastra ndërkohë është qyteti që ka mundësitë më të larta në Shqipëri për të mbajtur distancimin, me vetëm 21 banorë për kilometër katror. Tirana është edhe qyteti me më shumë raste në Shqipëri, ndërsa Gjirokastra është ndër qytetet që nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.