Dita botërore e Sindromës Down – “Balfin Group”, pjesë e projektit të punësimit të të rinjve
Në kuadër të ditës botërore të Sindromës Down Jonathan Center ka organizuar eventin e përvitshëm që për herë të parë u organizua në Shqipëri në vitin 2012.
Ndryshe nga vitet e tjera, sipas drejtoreshës Oreada Kita këtë vit fokusi është tek përfshirja e të rinjve me Sindromën Down në biznes.
Ajo shprehet mirënjohëse ndaj biznese që janë sensibilizuar me këtë kauzë dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre.
“Është dita e Sindromës Down dhe fokusi gjithmonë kanë qenë fëmijët edhe të rinjtë me Sindromën Down, ne duam që në këtë mbrëmje në fakt t’ju nderojmë juve, bizneset vendase, partnerët tanë që keni përqafuar idenë, keni guxuar që në një masë si asnjëherë më parë në Shqipëri të punësoni të rinjtë edhe të na dhuroni kaq shumë emocione po dhe një ëndërr që para dhjetë vitesh, në 21 marsin e parë nuk e kishim menduar,” u shpreh Kita.
Shumë prej të rinjve kanë siguruar një vend pune, duke nisur kështu integrimin në punësim.
Balfin Group ka qenë një partner i hershëm i qendrës Jonathan, ku edhe këtë herë ka dhënë kontributin e tij duke bërë të mundur punësimin e disa prej të rinjve në SPAR dhe Fashion Group Albania.
“Kur nevoja ka qenë e madhe, ju keni qenë aty për të na mbështetur, edhe punësimi i tre të rinjve tani tek SPAR edhe te Fashion Group është një arritje tjetër e jashtëzakonshme,” përfundoi Kita.
Ndër të tjera ata shprehen të hapur për ta zgjeruar më tej bashkëpunimin e për të krijuar hapësira të reja për përfshirjen e të rinjve në qendrën Jonathan por edhe të rinjve me Sindromën Down, në vende pune edhe në vazhdim.
“Është një kënaqësi shumë e veçantë edhe një emocion krejt ndryshe nga ai që jemi mësuar, edhe eventet që jemi mësuar të shkojmë realisht, është një bashkëpunim shumë i bukur që kemi patur me qendrën Jonathan, shpresojmë që të kemi bashkëpunime të tjera shumë të bukura,” u shpreh përfaqësuesja e Balfin Group në event.
Vjola Gremi / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.