Dita e Bankave Qendrore – Banka e Turqisë rrit interesat, BOE dhe BQE nuk ndërhyjnë
Këtë javë, vëmendja e investitorëve ka qenë te bankat qendrore dhe ndikimi i politikave monetare te valutat e disa vendeve. Banka Qendrore e Turqisë rritin normën bazë të interesit me 6.25%, lëvizje që i dha nxitje lirës turke dhe qetësoi investitorët për ndikimin e Erdogan te politikat monetare.
Banka rriti normën bazë të interesit, apo normën 1-javore të marrëveshjeve të riblerjes (repo) në 24%, pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm të Erdogan për normat e larta të interesit. Lira u rrit në 6.01 kundër dollarit pas vendimit, nga 6.42 që ishte përpara. Valuta ka humbur më shumë se 40% të vlerës kundër dollarit deri më tani për vitin, prej shqetësimeve të influencës së Erdogan te politikat monetare dhe përplasjeve diplomatike me SHBA.
Në të njëjtën ditë, Banka e Anglisë përfundoi takimin 2-ditorë të politikave, ku mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar. Institucioni ndërkohë theksoi shqetësimet më të mëdha financiare për Brexit. Sipas raportimeve të Bankës së Anglisë, bizneset po përmbajnë investimet përpara datës së daljes nga Bashkimi Europian. Megjithatë, institucioni rriti projeksionet për ekonominë në tremujorin e tretë në 0.5%, nga 0.4% që priste më parë, kryesisht prej shpenzimeve më të forta konsumatore gjatë motit të ngrohtë.
Banka Qendrore Europiane, mbajti gjithashtu politikat monetare të pandryshuara ditën e Enjte dhe premtimin për të përfunduar blerjet e obligacioneve në fund të këtij viti dhe rrisë normat e interesit në 2019-ën.
Ndërkohë që inflacioni është rritur dhe ekonomia ndodhet në performancë pozitive, BQE ka hequr gradualisht stimujt monetarë, me argumentin se proteksionizmi dhe dalja e Britanisë, nuk do të devijojnë rritjen ekonomike që ka vazhduar për 6 vite radhazi. Duke bërë një ndryshim të vogël të qëndrimit mbi politikat monetare, BQE deklaroi se do të përgjysmojë blerjet e titujve të borxhit në 15 miliardë euro nga muaji Tetor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.