“Dita e Beqarëve” e Alibaba, zhgënjyese – Shitjet rriten me vetëm 8.5% prej ashpërsimit rregullator dhe pandemisë
Alibaba deklaroi se shitjet gjatë “Ditës së Beqarëve” u rritën me 8.5%, që është norma më e ngadaltë ndonjëherë, ç’ka vuri në dukje monitorimin e fortë rregullator të Kinës për firmat e teknologjisë, si dhe problemet me ofertën. Gjiganti kinez i tregtisë në rrjet, theksoi se shitjet, apo “vlera bruto e mallit” (GMV), në eventin 11 ditorë të ditës se Beqarëve që përfundoi ditën e Enjte, u rritën në 84.5 miliardë dollarë, apo me 8.5%, krahasuar me 26% rritje në vitin e kaluar.
Shitjet janë rritur me normë dyshifrore çdo vit që kur Alibaba e themeloi festivalin në vitin 2009, që e ktheu në festën më të madhe në botë të shitjeve në rrjet, duke eklipsuar të Hënën Kibernetike në SHBA. Firma më pas e ndryshoi festën në një event disa-ditorë vitin e kaluar. Rezultati vjen ndërkohë që konsumi total në Kinë është ngadalësuar. Përpara se të niste periudha e shitjeve, analistët bënë të ditur se prisnin që Alibaba të raportonte një rritje fare të vogël këtë vit, prej ngadalësimit të shitjeve me pakicë, problemeve me ofertën, ndërprerjet e energjisë dhe masat anti-Covid.
Festivali, që Alibaba e zgjati në një event 11-ditorë, me marrëveshjet më të mëdha të përqëndruara në 2 periudha të zbritjeve, nga 1-3 Nëntori dhe më 11 Nëntor, është kthyer në një matës të ndjesisë konsumatore në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Këtë vit, Alibaba ka zbutur marketingun agresiv gjatë festës, prej monitorimit rregullator nga autoritetet kineze, duke thënë se fokusi i këtij viti ishte tek rritja e qëndrueshme.
Në vitin e kaluar, Alibaba mburrej me kërkesën e konsumatorëve kinez për lavatriçe, smartfona dhe pajisje elektronike, me prezantimin e statistikave që zgjasnin gjithë natën. Këtë vit e përdori festën për të nënvizuar iniciativa si një program që ndihmon individët me aftësi të kufizuara që të blejnë veshje, si dhe përpjekjet për të përdorur paketim me gjurmë më të vogla në mjedis.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.