“Dita e Verës”, plani i masave që ka marrë policia në Tiranë dhe Elbasan. Akset rrugore që bllokohen për aktivitete
Policia e Tiranës ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të aktiviteteve, nesër më 14 Mars 2017, me rastin e Ditës së Verës. Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës bën të ditur akset rrugore që do të jenë të bllokuara duke nisur nga mbrëmja e sotme në kryeqytet.
Sipas njoftimit për mbarëvajtjen dhe shmangien e incidenteve të mundshme, do ketë bllokim rrugësh, si më poshtë:
Nga ora 22:00, e datës 13.03.2017, deri në orën 23:00 të datës 14.03.2017, do të bllokohen këto segmente rrugorë:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me Sheshin “Skënderbej” deri në kryqëzimin me bulevardin “Zhan D’Ark”
– Rruga “Myslym shyri”, nga kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek kryqëzimi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”,
Nga ora 07:00, e datës 14.03.2017, deri në orën 24:00 të datës 14.03.2017, do të bllokohen këto segmente rrugorë:
– Rruga “Hoxha Tahsim”, nga kryqëzimi me rrugën “Beqir Luga” deri tek Sheshi “Avni Rustemi”
– Rruga “Luigj Gurakuqi”, nga Sheshi “Avni Rustemi” deri tek kryqëzimi me Rrugën e “Barikadave”
Nga ora 10:00, e datës 14.03.2017, deri në orën 24:00 të datës 14.03.2017, do të bllokohen këto segmente rrugorë:
– Sheshi “Nënë Tereza”
– Rruga “Brigada e VIII”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Vaso Pasha”
– Rruga “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Vaso Pasha” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova”
Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për sigurinë e aktiviteteve.
“Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve gjatë kohës së zhvillimit të aktiviteteve, si dhe i bëjmë thirrje të shmangin sa më shumë përdorimin e mjeteve gjatë ditës së nesërme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Masat e Policisë së Elbasanit
Po kështu Policia e Elbasanit ka marrë masa për zhvillimin e aktiviteteve ditën e nesërme për Ditën e Verës.
“Gjatë festimit të “Ditës së Verës” në qytetin e Elbasanit, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ka marrë të gjitha masat për organizmin e shërbimeve të Drejtorisë dhe Komisariateve të Policisë Elbasan, Cërrik, Librazhd, Gramsh, Peqin dhe të Stacioneve Belsh dhe Përrenjas me rastin e Ditës së Verë. Të gjitha shërbimet në Drejtorinë e Policisë Elbasan, më datë 13.03.2017 do të kalojnë në shërbim të përforcuar për zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive. Për të përballuar me sukses festimin sa më normal të Ditës së Verës, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Elbasan, do të vihen në dispozicion dhe forca nga Policia e Tiranës dhe FNSH-ja. Në këtë plan masash do të angazhohen 380 forca policie nga Elbasani dhe Tirana”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.
Në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e aktiviteteve me rastin e “Ditës së Verës”, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nuk do të lejojnë lëvizjen apo parkimin e mjeteve në këto akse rrugore:
-Në orën 11:00 të datës 13.03.2017 bllokohet lëvizja dhe qarkullimi i mjeteve nga “Kryqëzimi i Kristoforidhit” deri tek “1 Maji”
-Në orën 07:00 të datës 14.03.2017 deri në përfundim të aktivitetit të Karnavaleve do të bllokohet lëvizja nga Stadiumi deri tek 1 Maji
-Nga Stadiumi deri tek “Pallati i Sportit”, nuk do të lejohen parkimet apo qëndrimet e mjeteve.
“Policia Rrugore krahas masave të marra për mbarëvajtjen e trafikut, do të ketë dhe një sërë masash për shtimin e kontrollit ndaj përdoruesve të rrugës, që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur, që tejkalojnë normat e shpejtësisë, që kryejnë parakalime të gabuara, etj.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.