Dita europiane e parqeve, Koka: Shtimi i zonave të mbrojtura, domosdoshmëri për ekonominë
Qytetarëve shqiptarë do t’u rikthehen vlerat e natyrës dhe mundësitë për të pushuar. Kështu ka deklaruar ministri i Mjedisit, Lefter Koka gjatë inaugurimit të shtëpisë së vizitorëve dhe asaj të rejnxhave në Parkun Kombëtar të Dajtit.
Gjatë një aktiviteti të organizuar me fëmijët e zonës në ditën europiane të parqeve, Koka theksoi se fokusi është tek shtimi i zonave të mbrojtura të cilat aktualisht zënë 17% të territorit, si një domosdoshmëri për zhvillimin e ekonomisë.
“Tashmë kemi mbërritur nivelin e 17% të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura në territorin shqiptar të klasifikuara në nivele të ndryshme“, tha ministri Koka duke shtuar se krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, dhe autonomia financiare që ky institucion do të marrë nga ligji i ri i zonave të mbrojtura të miratuar më 4 maj 2017 në parlamentin shqiptar, është një zhvillim i rëndësishëm.
Sipas specialistëve pranë agjencisë kombëtare për zonat e Mbrojtura, për parkun kombëtar të Dajtit numri i vizitorëve është gjithmonë duke u rritur. Sipas tyre ky park ofron çdo shërbim për vizitorët.
Parku Kombëtar i Dajtit është një nga 5 zonat prioritare të mbrojtura pjesë e projektit te Bashkimit Europian Natyra 2000.
Ky park është i vendosur 26 kilometër ne lindje te Tiranës me një sipërfaqe prej 3300 hektar. Ai njihet edhe si “Ballkoni natyror i Tiranës” i cili ofron mundësi akomodimi për turistet.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.