Divergjenca Europë – Britani/ Investitorët kërkojnë aksione europiane, përjashtuar Britaninë
Investitorët globalë po reflektojnë optimizëm ndaj perspektivës ekonomike të Europës, ndërkohë që po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar ndaj Britanisë dhe negociatave të Brexit. Kjo ka bërë që investitorët e huaj të shmangin aksionet britanike ndaj investimeve të lidhura me Europën.
Me Brexit dhe pasigurinë e lidhjes mes vendeve në të ardhmen, investitorët mendojnë se tregjet financiarë në Britani dhe Bashkimin Europian do të krijojnë karakteristika dhe nxitës të ndryshëm. Të dhëna nga Thomson Reuters tregojnë se Fondet e Listuara në Bursë që ndjekin aksionet europiane përjashtuar ato britanike, janë ato që kanë kërkesën më të fortë. iShares dhe MSCI Eurozone, kanë pasur flukse neto prej 3.9 miliardë dollarë këtë vit.
Ndërkohë, fondet që përfshijnë aksionet britanike kanë pasur dalje, gjë që sugjeron se investitorët po kërkojnë të ekspozohen vetëm në aktivet europiane. Sipas Reuters, ekzistojnë më shumë se 1800 fonde të përbashkëta në botë që investojnë në të gjithë Europën dhe që menaxhojnë më shumë se 250 miliardë dollarë. Ndërkohë, fondet që investojnë në aksionet europiane përjashtuar Britaninë kanë arritur në një total prej 150, dhe manaxhojnë 50 miliardë dollarë.
Kjo ndarje është bërë e dukshme që prej daljes së Britanisë. Megjithatë, Britania qëndron ende një treg kryesor për investitorët globalë dhe i ofron atyre akses në prodhues gjigant të lëndëve të para si Glencore e Royal Dutch Shell, dhe bankave të mëdha si HSBC.
Kompanitë në Eurozonë mbështeten në tregun e Britanisë, pasi 10% e të ardhurave nga firmat kryesore të bllokut vijnë në mënyrë direkte nga Britania, gjë që tregon se investitorët do të duhet të monitorojnë performancën e vendit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.