Dobësohet konsumi gjerman – Shitjet me pakicë bien në Prill, cënohet nxitësi kryesor i ekonomisë
Shitjet me pakicë në Gjermani ranë papritur në muajin Prill, tregojnë të dhënat zyrtare, duke cënuar shpresat se konsumi privat do të nxisë rritjen e ekonomisë më të madhe të Europës këtë vit.
Treguesi i luhatur, që është zakonisht subjekt i rishikimit, tregoi se shitjet me pakicë ranë me 0.2% në Prill në terma realë, raporton zyra Federale e Statistikave.
Projeksionet qëndronin për një rritje me 0.2% dhe erdhën pas një rishikimi në rritje për të dhënat e muajit Mars.
Me bazë vjetore, shitjet në dyqane ranë me 0.9% për muajin Prill, duke bërë kontrast të fortë me projeksionet për një rritje me 2.3%.
Ekonomia gjermane është nxitur prej vitesh nga eksportet, megjithatë, konsumi ka qenë burimi i rritjes vitin e kaluar dhe pritet të luajë një rol të rëndësishëm edhe për këtë vit.
Konsumatorët gjermanë janë në një pozitë të favorshme për të shpenzuar, duke qenë se norma e papunësisë qëndron në nivel rekord të ulët, pagat po rriten dhe kostot e huamarrjes janë në nivel rekord të ulët.
Të dhënat mbi shitjet me pakicë vijnë pas sondazhit GfK që tregoi se humori i konsumatorëve gjermanë qëndron në nivelin më të lartë në 16 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.