Dobësohet konsumi në Britani – Shitjet me pakicë në nivelin më të ulët në 4 vite, prej rritjes së inflacionit
Britania publikoi një rënie të papritur të shitjeve me pakicë për Shtatorin, që është një tregues i konsumit, duke rezultuar në normën më të ulët në katër vite për tremujorin e tretë, ndërkohë që kërkesa e konsumatorit është përkeqësuar.
Banka e Anglisë ka deklaruar se do të rrisë normën bazë të interesit për të parën herë në një dekadë. Volumi i shitjeve ra me 0.8% në Shtator, raporton zyra Kombëtare e Statistikave, duke ndaluar rritjen e Gushtit. Për tremujorin e tretë, shitjet treguan normën më të ulët që prej vitit 2013, në 1.5%. Shanset për rritjen e normave të interesit janë vendosur në 80% nga tregjet, në takimin e datës 2 Nëntor.
Sipas analistëve, do të zbulohet në muajt që vijnë nëse kjo rënie rezultoi prej përmbajtjes së konsumatorëve përpara blerjeve për Krishtlindje, apo prej deklaratës së Bankës së Anglisë për rritjen e normave të interesit duke bërë që konsumatorët të limitojnë shpenzimet. Ekonomistët thonë se rënia e shitjeve në Shtator është nxitur nga rritja e madhe e çmimeve nga shitësit me pakicë.
Inflacioni arriti në 3% për muajin Shtator, ndërsa pagat kanë treguar rritje më të ulët, duke sjellë rënien e treguesit real. Shitësi online me pakicë ASOS rriti projeksionet, pasi nuk ka rritur çmimet pavarësisht rritjes së kostove për importet. Paundi ra me publikimin e të dhënave, kundër shportës kryesore të valutave. Me dollarin amerikan, arriti në 1.3160.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.