Dobësohet konsumi në Gjermani – Shitjet me pakicë bien me 1.2% në muajin Korrik
Shitjet me pakicë në Gjermani ranë më shumë se ç’ pritej në muajin Korrik dhe patën një rritje të ngadaltë me bazë vjetore, duke treguar se shpenzimet e ekonomive familjare kanë humbur vrull në fillim të tremujorit të tretë.
Zyra Federale e Statistikave raportoi se shitjet me pakicë ranë me 1.2% në muajin Korrik në terma realë, krahasuar me një rritje prej 1.3% në Qershor. Me bazë vjetore, shitjet u rritën me 2.7%, poshtë vlerësimeve të analistëve për një rritje me 3.5%. Konsumi privat i ka zënë vendin eksporteve si motori i rritjes së ekonomisë Gjermane, në një kohë të punësimit në nivele rekord, rritjes së sigurisë në punë, rritjes së pagave reale dhe kostove të ulëta të huamarrjes.
Një sondazh gjatë javës së kaluar tregoi se humori i konsumatorëve kishte arritur nivele të larta gjatë muajit, duke shtuar pritshmëritë se vrulli ekonomik i mbështetur nga konsumi do të vazhdojë.
Të dhënat mbështesin Kancelaren Angela Merkel, përpara zgjedhjeve federale ku ajo kërkon mandatin e katërt. Të dhëna te tjera nga Zyra Federale e Punës, treguan se norma e papunësisë ra lehtë në muajin Gusht, në 5.7%, që është niveli më i ulët që prej riunifikimit në vitin 1990. Qeveria projekton një normë të rritjes për ekonominë gjermane në 1.9% për 2017-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.