Dobësohet “Made in Germany” – Bie kërkesa për mallrat industrialë. Perspektiva, e zymtë.
Porositë për mallrat industrialë gjermanë ranë më shumë se ç’pritej gjatë muajit Maj dhe Ministria e Ekonomisë paralajmëroi se sektori do të qëndrojë i dobët në muajt në vazhdim. Kontratat për mallrat “Made in Germany” ranë me 2.2% gjatë muajit, pas një rritjeje të lehtë në Prill, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë. Treguesi rezultoi poshtë pritshmërive të ekonomistëve, për një rënie me vetëm 0.1%. Të dhëna të tjera së fundmi kanë treguar gjithashtu për një perspektivë të dobët për sektorin, ndërkohë që porositë inxhinierike kanë rënë dhe manifaktura është tkurrur. Kontratat e huaja ranë me 4.3%, nxitur nga rënia e madhe e kërkesës e vendeve jashtë Eurozonës.
Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë DIHK përgjysmoi projeksionet për rritjen e eksporteve këtë vit në vetëm 1%, prej luftës tregtare mes Kinës dhe SHBA. Konfliktet tregtare, dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian dhe ngadalësimi i ekonomisë botërore po sjellin vështirësi për Gjermaninë, që është varur prej vitesh te tregtia e jashtme. Ekonomia gjermane ndodhet në vitin e 10 radhazi të rritjes. Në tremujorin e parë, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.4%, por Bundesbank pret që tkurrje të lehtë më të dytin.
Klevis Llaha /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.