Doganat rrisin të ardhurat për tremujorin me 8.3% – 24.3 miliardë lekë nga TVSH-ja
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave realizoi 36.2 miliardë lekë të ardhura doganore gjatë periudhës Janar-Mars 2018. Në raport me tremujorin e parë të vitit 2017, kjo shënon një rritje prej 8.3%, e cila i atribuohet kryesisht performancës pozitive të muajve Janar dhe Shkurt.
Zërin kryesor në të ardhurat doganore e zënë pagesat e TVSH-së mbi produktet e importuara, të cilat për periudhën janë regjistruar në 24.3 miliardë lekë, një rritje e konsiderueshme prej 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e ndjeshme e importeve, veçanërisht në segmentin e importit të taksuar ka ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat që shkojnë për buxhetin e shtetit.
Në zërat e tjerë të të ardhurave doganore, një performancë të mirë kanë regjistruar edhe të ardhurat nga taksa doganore, e cila për periudhën arriti në 1.4 miliardë lekë; nga akciza e cila është rritur me rreth 280 milionë lekë në 9.6 miliardë, si dhe nga renta minerare e cila është rritur me 29.5% në 758 milionë lekë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për periudhën Janar-Shkurt, të ardhurat gjithsej nga tatimet dhe doganat janë rritur me 5.4% kundrejt vitit të kaluar, por janë lehtë nën parashikimet buxhetore. Megjithatë, kjo është e lidhur me mosrealizimin e pritshmërive të ministrisë mbi të ardhurat nga tatim fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale dhe TVSH-ja nga bizneset.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.