Dokumentacionet e tatimpaguesve dhe mbajtja e kontabilitetit– Tatimet: Ja afatet e ruajtjes së tyre
Të gjithë tatimpaguesit duhet të mbajnë regjistrat, librat, skedarët elektronikë ose manualët që përmbajnë informacionin financiar. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar afatet e ruajtjes së këtyre dokumentacioneve për qëllime tatimore.
Të dhënat dhe informacioni financiar e kontabël duhet të ruhen nga tatimpaguesi për të paktën 5 vjet, duke nisur nga fundi i vitit tatimor, të cilit i përkasin dokumentet. Ata janë të detyruar që të përdorin dokumentacionin bazë tatimor dhe për çdo shitje të lëshojnë faturë/kupon tatimor.
“Dokumentacioni bazë, si faturat tatimore të TVSH-së dhe faturat e thjeshta tatimore; regjistrat dhe të gjitha regjistrimet e bëra në këto regjistra; librat kontabël dhe të gjitha regjistrimet e bëra në këto libra, të cilat mbahen siç përcaktohet në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”; raportet financiare, librat e shitjes dhe librat e blerjes, të cilat mbahen siç përcaktohet në ligjin “Për TVSH-në dhe në udhëzimin në zbatim të tij, ruhen për të paktën 5 vjet, duke filluar nga fundi i vitit ushtrimor në të cilin ato janë lëshuar. Kjo do të thotë që, një faturë tatimore e lëshuar në muajin janar të vitit 2013, duhet të ruhet deri me 31 dhjetor 2018”, thuhet më tej në njoftimin e DPT-së.
Tatimpaguesit, subjekte të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, për përllogaritjen e detyrimit tatimor mbajnë regjistra, libra dhe dokumente të tjera, si dhe lëshojnë fatura të thjeshta tatimore, dëftesa tatimore dhe kupona tatimorë, në përputhje me ligjin e fushës dhe me aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij.
Gjithashtu, këta tatimpagues mbajnë dokumentacion tatimor, sipas kërkesave të këtij ligji, të ligjeve specifike tatimore dhe të dispozitave nënligjore, të dala në zbatim të tyre. Të dhënat dhe regjistrat e nevojshëm për tatimet mund të mbahen në formë elektronike, kur legjislacioni tatimor apo dispozitat përkatëse nënligjore nuk e pengojnë një gjë të tillë, me kusht që të garantojnë, në çdo kohë, një pasqyrim të plotë të veprimeve ekonomike dhe të të dhënave për tatimet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.