Dokumenti i deklasifikuar i CIA-s për “koncesionet” në Shqipërinë e viteve ‘80! Si funksiononte “PPP-ja” me kompanitë gjermane, japoneze e italiane
Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1976 sanksionte ndalimin e marrjes së çdo ndihme apo kredie nga jashtë. Pas viti 1978, kur vendi nuk ka më një aleat të fuqishëm për ta mbështetur politikisht e ekonomikisht, Shqipëria shpall platformën e mbajtjes së ekonomisë me burimet e brendshme. Në këto kushte, Shqipëria i rikthehet marrëdhënieve të dikurshme duke lidhur marrëveshje tregtare, kryesisht për shkëmbime mallrash me vendet e Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke (Bullgari, Çekosllovaki apo Rumani) por edhe me vendet fqinje si Jugosllavia.
Por në kushtet kur ekonomia po përballej me vështirësi serioze, regjimi i kohës do të ndërmerrte disa iniciativa të ndryshme për të siguruar atë që i nevojitej. Amortizimi i teknologjisë së ndërmarrjeve kishte sjellë domosdoshmërinë e investimeve të konsiderueshme, të cilat arka e shtetit shqiptar në atë periudhë nuk mund t’i përballonte.
Në këto kushte, një prej zgjidhjeve që ishte gjetur ishte ajo e lidhjes së marrëveshjeve me kompani të huaja të cilat do të realizonin investimin e nevojshëm.
Në një raport të CIA (Central Intelligence Agency) që mban datën 23 mars 1985, evidentohet ndër të tjera edhe marrëdhënia që shteti shqiptar ka me kompani gjermane, japoneze apo italiane.
Raporti evidenton se kompanitë e huaja përfitonin kontrata me shtetin shqiptar për realizimin e investimeve të ndryshme, ndërsa vlerën e investimit të kryer e merrnin në lëndë të parë për një periudhë të caktuar kohore; një praktikë që i ngjason praktikës së sotme të PPP-ve.
Mëposhtë, një pjesë nga raporti i deklasifikuar i CIA-s, që mban datën 23 mars 1983
Marrëdhëniet me kompani të huaja
Ne nuk kemi informacion të gjerë për lidhjet e Shqipërisë me firma të huaja të caktuara. Kushtetuta (neni 28) mund të thuhet se i ndalon ndërmarrjet të përbashkëta. Mëposhtë janë disa raste të lidhjeve të Shqipërisë me firmat e huaja.
-Në nëntor të vitit 1982 “Salzgitter AG” e Gjermanisë Perëndimore ra dakord për të zhvilluar një minierë nikeli në Shqipëri. Projekti, me vlerë 23 milion dollarë ishte për t’u financuar tërësisht përmes shkëmbimit.
-Firma japoneze “C. Itoh” ka negociuar që nga 1982 për të përfunduar një fabrikë të çelikut në Elbasan, Shqipëri. Pagesa do të ishte në krom.
-Konsullata amerikane në Trieste raportoi në korrik 1984 se firmat e mëposhtme italiane janë duke negociuar ose kryer biznes me Shqipërinë:
-FIAT
-Italiimpianti
-ITALTEL
-Montedison
-Danieli
-Efim
-FATME
-“ITALTEL” firmosi një marrëveshje për modernizimin e sistemeve telefonike në Tiranë dhe dy qyteteve të tjera.
-“Danieli” thuhet se ndihmon në instalimin e tubave prej çeliku dhe strukturave të fletëzimit në një fabrikë të çelikut. Kushtet e pagesës janë të panjohura.
Ne praktikisht nuk kemi informacion mbi rezervat valutore të Shqipërisë, por ne besojmë se ato janë të ulëta.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.