Dollari nuk ndjek FED – Bie prej ciklit gradual të tkurrjes monetare dhe shqetësimeve tregtare
Dollari amerikan ka regjistruar rënien më të madhe ditore në më shumë se 2 muaj këtë javë, ndërkohë që Rezerva Federale nuk e ndryshoi ritmin e tkurrjes monetare dhe prej shqetësimeve se Shtetet e Bashkuara mund të nisin një luftë tregtare me Kinën.
Indeksi i dollarit, që mat performancën e valutës kundër shportës kryesore, ra me 0.8% në 89.57 pikë, që është rënia më e madhe që prej datës 24 Janar. Sistemi bankar qendror në SHBA rriti normën bazë të interesit me 0.25%, por sipas analistëve, ekzistojnë dyshime që banka do të arrijë normën afat-gjatë prej 2.9%.
Dollari pësoi rënie edhe prej komenteve të Powell përballë gazetarëve, ku përmendi shqetësimet e lidhura me tregtinë. Ai tha se politikëbërësit kanë dëgjuar ankesa nga krerët e korporatave mbi aksionet tregtare të Donald Trump.
Nga ana tjetër, peso meksikan dhe dollari kanadez patën rritje, prej optimizmit se vendet e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut do të përjashtohen nga tarifat. Interesat e borxhit 10-vjeçar të qeverisë amerikane ranë në 2.87% nga 2.93 që prekën fillimisht.
Edhe tregjet e kapitalit reaguan negativisht nga veprimi i Bankës Qendrore. Pas vendimit të Rezervës Federale, Banka Qendrore e Kinës rriti normën e marrëveshjes së anasjelltë të riblerjes me 5 pikë bazë, për të parandaluar thellimin e diferencës me normën bazë të interesit në Shtetet e Bashkuara.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.