Dombrovskis për efektet e Brexit – “Po ndihen në Europë, por goditjen do ta pësojë vetë Britania”
Zv/Presidenti Komisionit Europian, Dombrovskis, foli për ndikimet negative dhe pasigurinë në lidhje me Brexit. Data e daljes së Britanisë është vetëm 2 muaj larg dhe nuk është ende e qartë se çfarë skenari do të materializohet. “Mund të jetë dalje me marrëveshje, pa marrëveshje apo vonesë”, tha Dombrovskis.
Në lidhje me ekonominë, zv/presidenti i Komisionit tha se shihet një ngadalësim i aktivitetit, që po vjen edhe nga tensionet tregtare. Por, ai shtoi se në të njëjtën kohë, ekonomia e Eurozonës ka hyrë në vitin e 7 radhazi të rritjes.
Në lidhje me efektin e Brexit te ekonomia e Eurozonës, Dombrovskis tha se do të ketë ndikim negativ, pasi do të ndërpritet një integrim ekonomik që ka zgjatur prej dekadash. Megjithatë, ai shtoi se nuk pritet ndonjë ndikim i madh, pasi rritja ekonomike projektohet të vazhdojë në 2%. Sipas tij, vetë Mbretëria e Bashkuar do të ketë një efekt më të theksuar.
Britania është kthyer në një nga vendet me rritjen më të ngadaltë në Bashkimin Europian, së bashku me Italinë. “Kjo ka ardhur kryesisht prej efekteve negative të Brexit”, tha Dombrovskis.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.