Dominon SiCred pension – Sigurimet private rriten më 12.69 % gjatë vitit 2017
Tregu i pensioneve private po njeh zhvillim gjatë viteve te fundit. Kjo skemë po funksionon më së miri, kundrejt skemës së sigurimeve të detyrueshme, e cila po mbijeton nga mbështetja që i jep buxheti i shtetit.
Por referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, rezulton se ky treg aktualisht ka një total asetesh neto prej 1,496.25 milionë lekë dhe me një rritje prej afro 177.51 milionë lekë ose 13.46% më e lartë krahasuar me fundin e vitit 2016. E shprehur në euro, totali i aseteve neto është 11.28 milionë euro.
Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti ishte 19,514 anëtarë duke shënuar rritje prej 12.69% krahasuar me fundin e vitit 2016.
Aktualisht në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde pensioni, “Sicred Pension”, “Raiffeisen” dhe “Sigal”. Kështu referuar treguesve numrin më të madh të anëtarëve në këtë skemë e zënë ata të “SiCred Pension” të cilët janë 10 821, më pas vjen “Sigal” me 5 899 anëtarë dhe në vend të tretë renditet “Raiffeisen” me 2 794 anëtarë.
AMF si autoritet që mbikëqyr këtë treg, nëpërmjet nismave të ndryshme ka synuar të rrisë interesin e individëve për të kontribuar në fondet private të pensioneve. Ndërsa me vendosjen e tatimit të përshkallëzuar mbi të ardhurat personale, në vitin 2014, është parë me interes edhe nga individët investimi në fondet e pensioneve private rritet, sepse një pjesë e të ardhurave të larta përjashtohen nga tatimi.
Nga kjo më tepër përfitojnë ata që kanë të ardhura bruto nga paga mbi 130 mijë lekë në muaj, të cilët mund t’i përjashtojnë një pjesë të këtyre të ardhurave nga tatimi në shkallën 23%, duke i investuar në formë kontributesh në një fond pensioni.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.