Dorëhiqet ministri i jashtëm Nikos Kotzias, arsyeja
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka dhënë dorëheqjen një ditë pas një takimi të tensionuar të kabinetit, gjatë së cilës ai pati përplasje me ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos për marrëveshjen e Prespës.
Zyra e kryeministrit tha në një deklaratë se kryeministri grek, Alexis Tsipras ka pranuar dorëheqjen e Kotzias dhe se postin e tij do ta merrte ai vetë. Sipas Ekathimerinit, Kotzias ishte i pakënaqur për faktin se kryeministri nuk e mbështeti atë kundër sulmeve nga Kammenos, i cili është gjithashtu partner i koalicionit. Sipas të njëjtit burim, gjatë takimit të kabinetit Kammenos akuzoi Kotzias për keq menaxhimin e fondeve sekrete të ministrisë së jashtme dhe se ishte ‘njeri’ i miliarderit amerikan George Sorros.
Ndihmësit pranë ministrit të jashtëm thanë se ai ishte “thellësisht i ofenduar” nga akuzat. Ndërkohë, Kammenos, i cili propozoi një alternativë ndaj marrëveshjes së Prespës gjatë një vizite zyrtare në Uashington javën e shkuar, u kritikua nga Kotzias, i cili nënshkroi paktin me homologun e tij të FYROM në qershor.
Kujtojmë se Kotzias ishte negociator i Greqisë në negociatat për kufirin detar me Shqipërinë.
e.t /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.