Dorëzimi i librave “falas” – Ministria e Arsimit, urdhër shkollave të nisin me vlerësimin e teksteve
Nxënësit e shkollave fillore nga klasa e I në të IV, të cilët përfituan libra “falas” në fillim të këtij viti shkollor, do i duhet të përgatiten për dorëzimin e tyre . Ministria e Arsimit urdhëron institucionet arsimore vendore , përgjegjëse për arsimin parauniversitar, që të nisin me procedurat për vlerësimin dhe administrimin e teksteve shkollore të cilat u dhanë në përdorim falas në shtator të vitit 2018.
Sipas Ministrisë së Arsimit, nxënësit duhet t’i dorëzojnë tekstet menjëherë pas përfundimit të vitit mësimor, ndërkohë që më pas komisioni i administrimit të teksteve shkollore do të nisi vlerësimin e gjendjes fizike të teksteve duke identifikuar nevojat për tekstet të reja. Ndërkohë që nxënësit do të pajisin për vitin e ardhshëm me tekste të përdorura me të njëjtin përpjesëtim me ato që kanë dorëzuar në fund të vitit ndërsa pjesa tjetër do të plotësohet me të reja. Ministria e Arsimit, në nisje të vitit shkollor 2018-2019, shpërndau për 190 mijë nxënës të arsimit fillor tekste të cilat janë vetëm për përdorim falas, pavarësisht propagandës së përdoruar në nisje të viti shkollor , ndërkohë që nxënësi është i detyruar ti dorëzojë sërish në shkollë .
Nëse libri është dëmtuar, nxënësit do te paguajnë vlerën e tij sipas çmimit të katalogut. Fatura financiare e qeverise për të mbuluar me tekste të ashtuquajtura falas për arsimin fillor kapi vlerën prej 270 milion lekësh.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.